​Kosova dhe Maqedonia po përgatisin ligjin për kriptovalutat

Kosova

​Kosova dhe Maqedonia po përgatisin ligjin për kriptovalutat

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 22:11
Ilustrim

Kosova tashmë më shumë se një vit po paralajmëron një ligj për rregullimin e tregut dhe veprimtarisë të kriptovalutave. Megjithatë, deri tani, një version zyrtar nuk ka arritur në Kuvend.

Përkundër mungesës së ligjit, Ministri i Financave Hekuran Murati u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqesin fitimet nga kriptovalutat për taksim. Ai tha se do të aplikohet tatim prej rreth 10% nga fitimi total.

“Nëse dikush ka investuar në kriptovaluta 10 mijë euro në vlerë dhe pas një kohe është rritur vlera e tyre dhe i ka shitur kriptovalutat për 20 mijë euro, atëherë fitimi do të ishte 10 mijë dhe ky fitim kapital do të duhej të deklarohej në formular”, tha Murati, njoftoi TRT.

Përgatitjen e një ligji të tillë e paralajmëron edhe Maqedonia e Veriut. Ministri i Financave në Qeverinë e Shkupit, Fatmir Besimi, tha se do të duhet të rregullohet kjo sferë, sidomos nga prizmi i parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

“Shfrytëzimi i mjeteve virtuale me vlerë të njohura si “kriptovaluta” do të rregullohet me ligj. Aktualisht, Ministria e Financave, së bashku me Njësinë e inteligjencës financiare, si dhe rregullatorët dhe supervizorët financiarë po punojnë për t’i përcaktuar të gjitha aspektet që dalin nga ky fenomen i ri”, deklaroi Fatmir Besimi.

Gërmimi i kriptovalutave është proces që shpenzon nivele marramendëse të energjisë elektrike, ndërsa konsumi i energjisë për këtë qëllim po rritet çdo vit. Një studim i përgatitur nga Cambridge University tregon se vetëm gërmimi i Bitcoin globalisht shpenzon më shumë energji se sa shtete të tëra si Argjentina, Holanda apo Emiratet e Bashkuara Arabe.

Megjithëse vendet e Ballkanit bashkë nuk përbëjnë as 0.1% në prodhimin e përgjithshëm të Bitcoinit, megjithatë gërmimi po lë gjurmë në krizën energjetike edhe në Ballkanin Perëndimor.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat