Gjatë muajit tetor nuk është raportuar asnjë rast i fëmijëve të braktisur

Kosova

Gjatë muajit tetor nuk është raportuar asnjë rast i fëmijëve të braktisur

Më: 27 nëntor 2022 Në ora: 07:57
Foto ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e mirëqenies sociale për muajin tetor të këtij viti, ku rezulton se nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 23 661 familje me gjithsej 93 451 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 748 familje. 

Sipas ASK-së, ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpaguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur etj.

“Nga skema e pensioneve bazike të moshës janë 143 144 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 48 320 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 36 766 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 924 përfitues; nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 036 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 300 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2 575 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 847 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 1 773 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) janë 1 271 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 687 përfitues; dhe nga skema për pensionet invalidore janë 60 përfitues”, thuhet në raport.

Aty theksohet se gjatë muajit tetor 2022 nuk është raportuar asnjë rast i fëmijëve të braktisur.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat