Erërat e forta i lanë pa rrymë për 30 orë disa fshatra të Klinës, kryetari jep detaje

Kosova

Erërat e forta i lanë pa rrymë për 30 orë disa fshatra të Klinës, kryetari jep detaje

Më: 6 shkurt 2023 Në ora: 14:51
Zenun Elezaj

Me erëra të forta është përball Kosova gjatë së shtunës dhe të dielës.

Shpejtësia e lartë e tyre ka shkaktuar dëme në disa komuna të vendit.

Njëra nga to është ajo e Klinës, ku ka pasur këputje të përçuesve elektrikë dhe rrëzim të shtyllave.

Kryetari i komunës, Zenun Elezaj.

“Ka dëme kryesisht të energjisë elektrike. Janë duke i rregulluar. Ka edhe dëme tjera të vogla materiale. Ndonjë pjesë e çatisë ose orendive. Tek tash u lëshu rryma në Siqevë, Jashanicë, Ujëmir. Ka mbet vetëm Doberdoli. Këto fshatra kanë qenë 30 orë pa rrymë”.

Elezaj u zotua se do të ndihmojnë familjet e dëmtuara.

“Nëse lajmërohet dikush nga banorët, ne si Komunë e formojmë Komisionin për dëme. Deri tash nuk është lajmëruar asnjë qytetar”, u shpreh Elezaj.

KEDS-i ka shtuar ekipet në terren, në mënyrë që të sanojnë dëmet e shkaktuara.

“Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë në këto zona të afektuara nga erërat dhe shpresojmë se në një afat sa më optimal gjendja me furnizim me energji elektrike do të kthehet në normalitet”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Erërat e dy ditëve të fundit hynë në kategorinë e fatkeqësive natyrore dhe si të tilla mundë të jenë të rrezikshme e të shkaktojnë dëme, por edhe të rrezikojnë jetën e vet qytetarëve të vendit.

Kështu ka thënë drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) dhe njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti, i cili ka thënë se qytetarët gjatë kësaj periudhe duhet të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve të tyre.

“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se të dielën pasdite vendi do të përfshihet nga erërat e fuqishme të cilat do të regjistrojnë shpejtësinë mbi 12m/s”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat