​Përvjetori i vrasjes së profesorit Latif Berisha

Kosova

​Përvjetori i vrasjes së profesorit Latif Berisha

Më: 24 mars 2023 Në ora: 07:42
Latif Berisha

Sot bëhen 24 vjet nga vrasja e poetit mitrovicas Latif Berisha.

Kur lufta për çlirimin e Kosovës mori hov të madh, më 24 mars 1999, në natën e parë të bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet serbe, në Mitrovicë, kriminelët serbë e vranë profesor Latif Berishën, në pragun e shtëpisë së tij.

Latif Berisha ishte aktivist në lëvizjen gjithëshqiptare të Kosovës dhe ish-kryetar i LDK-së në Mitrovicë. Ai u lind më 18 qershor 1931 në Smrekonicë të Vushtrrisë. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa ato të mesme në Vushtrri e Prishtinë. Fillimisht më 1949, punoi mësues në shkollën fillore në Pantinë.

Këtu filloi të shkruajë poezi e disa prej tyre edhe t'i botojë në revistën letrare “Jeta e Re". Në vitin 1951 punoi si inspektor në Sekretariatin për Arsim Kulturë dhe Shëndetësi dhe në ato vite kishte qenë edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve.

Më 1954, Latif Berisha punoi mësimdhënës i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e ulët të Vushtrrisë, ndërsa më 1955 regjistrohet student i rregullt i Albanologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd. Gjatë kohës së studimeve, më 1957 boti përmbledhjen e poezive "Tufa". Aktiviteti i tij u dallua edhe në formimin e Shoqërisë letrare "Përpjekja" të studentëve shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit. Në qershor 1959, diplomoi në degën e Albanologjisë dhe pastaj punoi mësimdhënës në Gjimnazin e Mitrovicës "Silvira Tomazini".

Më 1963, Latif Berisha i vazhdoi studimet pasuniversitare, Drejtimi i Letërsisë, në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe punoi temën e magjistraturës "Skënderbeu në letërsinë e shkruar shqipe".

Më 1965 u zgjodh asistent në Degën e Albanologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ndërsa më 1968 u zgjodh ligjërues i Historisë së letërsisë shqipe (Romantizmi).

Që nga viti 1984, punoi në projektin "Skënderbeu në letërsinë shqipe", të cilin nuk e mbaroi.

Në vitin 1991, si dhe shumë mësimdhënës të tjerë, edhe Latif Berishën, regjimi serb e largoi nga puna.

Gjatë viteve '90, Latif Berisha u angazhua në lëvizjen e intelektualëve dhe të popullit shqiptar për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë. U angazhua posaçërisht si udhëheqës në sektorin e kulturës, si dhe ishte i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Latif Berisha ka botuar vëllimin me poezi "Tufa"(1957), studimet e vështrimet: Ali Asllani dhe krijimtaria e tij poetike"(1963), Skënderbeu në poemën "Kënga e sprasme e Balës" (1968), Skënderbeu në disa krijime të letërsisë shqipe në Jugosllavi (1968), vepra "Lulet e Verës" dhe disa nga dimensionet e saj kuptimore (1972), poema "Bagëti e Bujqësi" (vlera ideoartistike) (1972), Hil Mosi dhe krijimtaria e tij poetike (1972), Andria Kaçiq Mioshiq dhe shqiptarët (1974), Një tufëz vjershash autografe të Zef Serembes (1974) etj.

Në vitin 2004, ish-presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi Latif Berishën me Medaljen e Artë të Pavarësisë, për kontributin e dhënë për liri dhe pavarësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat