​Kurti: Epopeja e Dukagjinit i dha mesazh Serbisë se nuk mposhtet UÇK-ja dhe Kosova

Kosova

​Kurti: Epopeja e Dukagjinit i dha mesazh Serbisë se nuk mposhtet UÇK-ja dhe Kosova

Më: 24 mars 2023 Në ora: 13:53
Epopeja e Dukagjinit

Në manifestimin qendror në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit ngjarja e 24 marsit 1998 u konsiderua si betejë e cila dëshmoi guximin e familjes Haradinaj dhe vendosmërinë e popullit për çlirim dhe mposhtjen e pushtuesit serb.

Në këtë ditë kur po shënohet edhe 24-vjetori i ndërhyrjes së NATO-së në Kosovë, bombardimet që zgjatën 78 ditë u konsideruan si akt që i dha fund pushtimit serb.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se beteja e ashpër e 24 marsit dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe popullit për çlirim.

Kurti tha se nga kulla Haradinaj Serbia mori mesazhin se nuk mposhtet UÇK-ja dhe Kosova.

Kryeministri Kurti u shpreh se familja Haradinaj ja din vlerën lirisë dhe ushtrisë, është familje e dëshmorëve të kombit dhe gjeneralëve, ndërsa po sot në FSK kanë Luan Haradinaj që me përkushtim i shërben atdheut.

“Të dyja këto e kishin një armik Serbinë e kishin një qëllim lirinë, beteja e ashpër e 24 marsit dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe të popullit tonë në rrugën drejt çlirimit. Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk mposhtet Kosova, ky ishte mesazhi që Serbia fashite mori nga kulla e bacës Hilmi.të vendosur në 4 pozicione Hilmi Haradinaj së bashku me Mejremen dhe Frashërinë, Ramush Haradinaj së bashku me Bujarin, Dauti me Rasimin dhe Kujtimin dhe Shkelzeni me Enverin mbajtën në këmbë kullën, mbajtën në këmbë popullin”, tha Kurti.

Në këtë ditë kur po shënohet edhe 24 vjetori i bombardimeve të NATO-së shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti tha se ndërhyrja e NATO-së i dha fund pushtimit serb dhe qytetarëve të Kosovës iu dhanë shpresë.

Ndërsa, theksoi se fokusi i qeverisë së tij është forcimi i ushtrisë së Kosovës e cila po konsolidohet në aspektin profesional e operacional gjithmonë në shërbim të lirisë dhe sigurisë.

“ Në aspektin politik Bill Clinton në atë diplomatik, Madeliene Albirght në atë informues James Rubin në atë ushtarak, Wesley Clark ishte ky kombinimi që i dha fund pushtimit të Serbisë, ndërsa njerëzve tanë shpresë. Bombrdimet që zgjatën 78 ditë e ndalën gjenocidin ndaj popullit shqiptar nga regjimi fashist i Millosheviqit ky akt i dha mbështetje të fuqishme vendit tonë jo vetëm në aspektin ushtarak por dhe në konfirmimin e fuqishëm që e drejta ishte në anën tonë dhe se Serbia ishte agresori dhe po kryente gjenocid mbi popullin shqiptar të Kosovës”, theksoi Kurti.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se 24 marsin 1998 e njohin si ditë të fitores e cila theu mitin e forcave serbe.

Ish komandanti i zonës së Dukagjinit u shpreh se Kosova e ka vendin në NATO e cila 1 vit pas betejës së Dukagjinit i ndihmoi fitores për liri të popullit të Kosovës.

“Ndoshta fitorja e kësaj dite u bë shkaktar që të shpresojmë dhe besojmë më shumës e fitorja, miti i Serbisë dhe forcave serbe u thye këtu. Ajo që e madhështoi këtë ditë ishte mendja e zemra e shqiptarëve kurdo që janë që me vazhdua me këtë ditë dhe që të nesërmen këtu Dauti me bashkëluftëtar ishin nikoqir në prit plotë e djem e vajza që erdhën nga të gjitha anët e Kosovës e të kombit dhe që atë ditë lufta vazhdoi deri në fitore. Pse kjo ditë e jona është ditë e fitores për shkak se nuk ndamë askënd nga rreshti i luftës, në Dukagjin askush nuk ishte i tepërt...Ne si Kosovë do të rreshtojmë në aleancë me NATO-në, Amerikën dhe besoj shumë se e meritojmë partneritetin për paqe e NATO dhe meritojmë sot, besoj shumë se Kosova e ka vendin në NATO dhe ka krahë NATO për të ndihmuar paqen dhe lirinë ashtu si dikur ne na u shpëtuan jetën tona dhe u ndihmua liria jonë“, u shpreh Haradinaj.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se 24 marsi është dita që bënë krenar gjithë kombin.

Ai tha se 25 vite më parë populli shqiptar triumfoi ndaj pushtuesit dhe u dha një shpresë për të gjithë.

“Më 24 mars të vitit 1998 për herë të parë ne po e nderojnë krenarin e gjenit tonë shqiptar sepse atë ditë kremtuam fitoren dhe triumfuam ndaj pushtuesit, atë ditë përfundimisht na u dha një shpresë të gjithë neve. Në mëngjesin e kësaj dite të 24 marsit tash e 25 vite më parë pushtuesi serb me skenarin e njëjtë si në Çirez , Likoshan e po ashtu me skenarin e njëjtë si në familjen legjendare Jashari po shkonte drejt familjes së bacës Hilmi, por për fat llogaria iu doli gabim”, tha ai.

Në emër të Shoqatave të dala nga lufta e zonës operative të Dukagjinit, dhe ish eprori i lartë i Brigadës 137 Gjakova, Hekuran Hoda tha se Epopeja e Dukagjinit shënon kthesë historike në luftën për liri dhe çlirim të vendit.

“Shënoi një kthesë historike në luftën për liri dhe çlirim të vendit sepse bërthamat e para të UÇK-së të fuqizuara dhe zgjeruara anë e këndë Kosovës përballuan dhe fituan lirinë duke u kundër vyere ashpër forcave barbare serbe posaçërisht këtu në Gllogjanin historik”, u shpreh ai.

I pranishëm në këtë tubim për shënimin e 25 vjetorit të Epopesë së Dukagjinit ishte edhe kryetari i Lezhës, Pjerin Ndreu i cili tha se kjo ngjarje konfirmoi se shqiptarët nuk e kursyen gjakun për atdhe dhe liri.

Në këtë manifestim nuk mungoi as imazhi i ish-krerëve të UÇK-së që po qëndrojnë të paraburgosur në Hagë, pasi që fotografit e tyre u shfaqen qysh në fillim të kësaj akademie përkujtimore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ai Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë bërë edhe homazhe tek kompleksi memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ndërsa kanë vizituar edhe familjen Haradinaj.

Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes forcave të UÇK-së dhe atyre të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat