​Raporti i Progresit për Kosovën 2023 ka vlerësuar mirë ASK-në

Kosova

​Raporti i Progresit për Kosovën 2023 ka vlerësuar mirë ASK-në

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 16:24
Foto ilustrim

Raporti i progresit që u publikua më 8 nëntor 2023 nga Komisioni Evropian ka vlerësuar mirë Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), duke thënë se Kosova ka një nivel të përgatitjes në fushën e statistikave.

Në një komunikatë për media thuhet se duke u bazuar në Kapitullin 18 për Statistikat, ku me rregullat e BE-së kërkohet që shtetet anëtare të prodhojnë statistika të bazuara në pavarësinë profesionale, paanshmërinë, besueshmërinë, transparencën dhe konfidencialitetin ka vlerësuar lart arritjet e bëra në fushat, të cilat kanë reflektuar në Sistemin Statistikor të Republikës së Kosovës.

“Në rregullat e përbashkëta që janë në fuqi për metodologjinë, prodhimin dhe shpërndarjen e informacionit statistikor thuhet se Kosova ka një nivel të përgatitjes në fushën e statistikave. Është bërë progresi në periudhën raportuese, veçanërisht në përmirësimin e metodologjisë së mbledhjes së të dhënave, transmetimi i të dhënave në Eurostat dhe zbatimin e rekomandimeve të vlerësimit të kolegëve (Peer-Review) të Eurostatit”, thekson ASK.

Tutje në raport thuhet se komunikimi ndërmjet institucioneve të ndryshme statistikore është përmirësuar, por koordinimi në nivel teknik dhe përdorimi i të dhënave administrative në dispozicion janë të pamjaftueshëm.

Kosova gjithashtu ka përmirësuar frekuencën e rezultateve të saj statistikore. Disa statistika për energjinë, statistikat sociale dhe statistikat afatshkurtra në sektorin e shërbimeve tani dërgohen në Eurostat në baza mujore, ndërsa më parë dërgoheshin në baza tremujore. Regjistrimi i vonuar i popullsisë dhe ekonomive familjare tani është planifikuar të bëhet midis 1 nëntorit dhe 31 dhjetorit.

Rekomandimet e vitit të kaluar janë përmbushur pjesërisht dhe mbeten të vlefshme rekomandimet edhe për vitin e ardhshëm, ku thuhet se Kosova në veçanti duhet të finalizojë përgatitjet për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, si dhe zbatimin e tij, duke siguruar detaje operacionale dhe mbulim të plotë të territorit; rris numrin e produkteve statistikore dhe dërgimin e tyre më shpesh në Eurostat; plotësojë vendet vakante (pozitat e lira) ekzistuese dhe t’i rrisë kapacitetet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Ndërkohë, për sa i përket infrastrukturës statistikore, korniza ligjore është gjerësisht në linjë me Kodin e praktikës së Statistikave Evropiane (Eurostat). Megjithatë, zbatimi i kësaj kornize ligjore ka nevojë të jetë më e fuqizuar.

Si përfundim, në Raportin e Progresit janë dhënë edhe rekomandimet për Kosovën për rolin e Agjencisë së Kosovës, qeverisjen statistikore dhe koordinimin ndërinstitucional dhe të sigurojë qasje më të mirë të burimeve administrative, përfundon ASK. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat