​Komuna e Obiliqit ndan çmimet e mirënjohjes publike

Kosova

​Komuna e Obiliqit ndan çmimet e mirënjohjes publike

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 13:58
Xhafer Gashi

Komuna e Obiliqit ka ndarë çmimet e mirënjohjes publike për angazhim qytetar dhe për zyrtarin e dalluar komunal. Ky proces është realizuar për herë të parë, ku u tha se do të vazhdojë edhe më tutje në këtë komunë me mbështetjen e USAID-it.

Zelushe Kelmendi, Fitim Sadiku e Basri Dubova kanë qenë fituesit e çmimit vjetor për angazhim qytetar. Ndërkaq, Daut Mjeku, Drita Hashani dhe Valmira Brahimi janë shpërblyer me çmimin vjetor për zyrtarin e dalluar komunal.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi ka falënderuar të gjithë zyrtarët komunal, për të cilët tha se secili meriton të shpërblehet.

Gashi: Në komunë tonë ka shumë zyrtarë që meritojnë të shpërblehen

“Me lejoni që në emër të institucionit komunal të ju falënderoj për këtë takim të përbashkët me rastin e shpërndarjes të mirënjohjeve. E di që në komunën tonë duke u bazuar në performancën që e kemi, kemi edhe shumë zyrtar të tjerë të mirë që kanë merita dhe meritojnë të shpërblehen, por shpresoj që kjo do të lëviz ndër vite. Në veçanti e falënderoj shumë USAID-in që ka marrë një iniciativë të re me kontratën sociale dhe po mundohemi që të bijmë praktika të reja edhe në komuna tonë dhe fatmirësisht ka pasur sukses edhe në debatet me qytetarët edhe në përzgjedhjen e projekteve”, u shpreh Gashi.

Po ashtu, Gashi theksoi se ky vit ka qenë i suksesshëm për Komunën e Obiliqit.

Gashi: Gjatë këtij viti kemi shpenzuar 99.87 për qind të buxhetit

“Është fat i madh që vitin që po e lëmë pas ka qenë një vit shumë i suksesshëm për komunën tonë, sepse komuna jonë ka shpenzuar buxhetin 99.87 për qind kjo ka qenë e fundit dje të investimeve kapital dhe kjo rezulton një punë të jashtëzakonshme të zyrtareve komunal që kanë më të vërtetë meritë në këtë drejtim. Por jo veç, gjithsesi i bashkohet edhe shoqëria civile që ka ndihmuar në përzgjedhjen e projekteve, në mbikëqyrjen e tyre dhe realizimin e tyre”, deklaroi Gashi.

Ndërkaq, kryetari i komisionit Hajriz Bekteshi theksoi se ky proces ka qenë fillestar për Komunën e Obiliqit, por që janë komuna e parë që kanë arritur rezultate fillestare.

Bekteshi: Jemi komuna e parë që e kemi mbërritur këtë rezultat fillestar

“Ishte një proces fillestar për ne, nuk ishte i lehtë. Ishte një proces që nuk e kemi bërë asnjëherë. Në katër komuna ka filluar në këtë vit, megjithatë e kemi bërë punën me vullnetar me anëtarët e komisionit më të përgjegjshëm arritëm që të mbërrijmë në finale dhe jemi komuna e parë që e kemi mbërri këtë rezultat fillestar”, u shpreh ai.

Me vendim të kryetarit të komunës është formuar komisioni për çmimin vjetor për angazhim qytetar dhe çmimin vjetor për zyrtarin e dalluar komunal. Ky proces është realizuar për herë të parë, ku u tha se do të vazhdojë edhe më tutje në Obiliq. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat