Shkumës i improvizuar, dërrasë në vend të tabelës, karrige gjysmë të prishura. Drenicë 1998.
Dikush po përpiqej të mbante gjallë shkronjat shqipe, derisa situata po përkeqësohej si pasojë e regjimit të atëhershëm të Sllobodan Millosheviqit.
Nën zhurmën e armëve që herë pas herë dëgjoheshin, disa mësues mbanin orë mësimore. Kur mësimi nuk mund të zhvillohej në klasë, shfrytëzoheshin shtëpitë.
Kur kishte granatime, nxënësit gjenin strehë duke futur kokën nën bankat e shkollës, e nëpër copëzat e fletëve të gjysmë të djegura vizatonin shtëpi të shkatërruara.
Dëshmi e atyre ditëve, ku nxënësit e klasës së parë, mes frikës për jetë a vdekje, mësonin shkronjat e para, është ditari i atij viti, i ruajtur nga ish-mësuesit.
Nëpër klasat e improvizuara me nga rreth 30 nxënës, disa të ulur e të tjerët në këmbë, mësuesit e shkollës fillore “2 Korriku” në Ticë, për rreth një muaj zhvilluan mësimin në dy shtëpi private, pasi objekti i shkollës ishte shënjestër i sulmeve të ushtrisë serbe.
Ish-mësuesi, Abdullah Qorraj tregon se rreth 260 nxënës kanë mbajtur mësim në këto dy shtëpi private.
Ai rrëfen se si ato pak copa të bankave bëheshin mburojë e nxënësve dhe mësuesve kur dëgjoheshin krismat.
Qorraj: Kur dëgjoheshin garantimet, nxënësit e mësuesit futnin kokën nën banka
"Klasat kanë qenë nga e para deri në të tetën, nuk ka pasur klasë të 9. Përafërsisht diku 260 nxënës. Mbi 30 nxënës ka pasur çdo paralele, sepse i kemi përfshirë edhe nxënës nga fshatra tjerë. Në këto dy objekte ka zgjatur mësimi nga 25 [maj] deri më 17 të muajit të gjashtë, diku i bie 27 ditë...Mësimi diku 25 minuta ka zgjatur ora jo më shumë sepse kushtet kanë qenë të tilla. Këtu kanë qenë 8 paralele, është dashur më shpejtë të kryhet mësimi të vazhdojë ndërrimi tjetër i radhës. I kemi sjellë bankat e shkollës, karriget, tabelet dhe shkumësat. Nxënësit nuk kanë qenë të pajisur me tekste siç duhet, pjesërisht. Nga frika ka ardhur ndoshta nxënësi edhe pa tekste. Sepse kur i ka dëgjuar granatimet pas ditës, të nesërmen ka pasur të vije në shkollë, se ka ditur ku po shkon as çfarë po bëhet. A po kthehet në shtëpi, a nuk po kthehet. Zakonisht kur ishin në mësim dhe dëgjoheshin garantimet më të mëdha, të gjithë kokën nën bankë e futnin nga frika. Jo vetëm ata por edhe mësuesit ndoshta", rrëfen Qorraj.
Veterani i arsimit, Abdullah Qorraj potencon se bashkëfshatarët Beqir Mehmeti dhe Selim Smajli vullnetarisht kishin lëshuar shtëpitë e tyre, në mënyrë që fëmijët të mund të merrnin dije edhe në kohë lufte.
Qorraj: Beqir Mehmeti e Selim Smajli me vetë dëshirë i kanë lëshuar shtëpitë e tyre për mësim gjatë luftës
"Viti 1997/98 karakterizohet me vështirësi gjatë procesit mësimor për arsye se më 27 nëntor vitit 97' vritet mësuesi Halit Geci në shkollën e Llaushës dhe që nga ajo datë mësimi vështirësohet në të gjitha shkollat e komunës së Skenderajt. Më 27.02.1998 me sulmin mbi Qirez dhe Likoshan mësimi është ndërprerë me urdhër të Këshillit Komunal të Arsimit (KKA) është ndërprerë për një kohë në të gjitha shkollat e Skenderajt. Por, ka vazhduar vetëm për 3 ditë...KKA më vonë ka paraparë që mësimi të fillojë në këto objekte private. Ky është objekti i dytë, përveç objektit të Beqës. Nxënësit e shkollës së Ticës, mësimin e rifillojnë me datë 20 maj 98’ në shtëpinë e Beqir Mehmetit dhe këtu në objektin e Selim Smajlit të cilët me vetëdëshirë dhe kanë kontribuar shumë na kanë lejuar që të t'i sjellim nxënësit në këto dy shtëpi”, thotë Qorraj.
E mësuesi Sokol Zeneli, rrëfen për rastet kur fëmijët në klasë të parë fillonin të qanin e kërkonin të shkonin tek prindërit e tyre pasi dëgjonin zhurmat nga të shtënat e armëve.
Ai tregon sesi nxënësit e kishin pyetur për komandantin legjendar Adem Jashari, pasi kish dëgjuar se ai ishte vrarë.
“Vizatonin shtëpi të djegura e njerëz të shtrirë e të vdekur”, thotë Zeneli derisa potencon se pavarësisht se ata ishin në klasë të parë shfaqnin urrejtje ndaj pushtuesit serb.
Zeneli: Nxënësit vizatonin shtëpi të djegura e njerëzve të vdekur, pyesnin për Adem Jasharin
"Kur ka pasur granatime ose gjuajtje, e kanë pasur një frikë se çka po ndodhë me familje. Nxënësit e klasës parë thonin 'Mësues a të shkojmë në shtëpi ta ndërpremë mësimin se mos po i ndodhë diçka mamit ose babit'. I kam emocionet e përziera, ndjehesha shumë keq. Kur është ndërprerë mësimi a iu keni treguar fëmijëve më herët, si e kanë dituar ata? Jo nuk kemi mundur, vetëm përmes prindërve. Kjo është ajo se nuk e ditur se çfarë ndodhë nesër fare. Sipas shënimeve që i pata në ditar, i kisha pasur të regjistruar 29 nxënës.Pyetje kanë bërë çdo herë për luftë. Thonin 'Kush ka qenë Adem Jashari'. Ua shpjegoja por ata si të vegjël nuk e kuptonin. Pyesnin 'A ka qenë i madh, a është trim'. Atë veçse e vranë në mars, thonin 'Pse e kanë vrarë, a nuk iu ka ardhur gjynah'...Edhe ata e kishin një urrejtje ndaj pushtuesve aq të madhe, në bazë të vizatimeve e paraqitnin luftën, shtëpitë duke u djegur, ose dikë të shtrirë ose të vdekur", tregon Zeneli.
Mësuesi Sokol Zeneli i cili në atë kohë mësonte gjeneratën e dytë të tij, thotë se gjatë kohës së luftës, kushtet për mbajtjen e mësimit ishin të mjerueshme.
Zeneli: Karriget kanë qenë të improvizuara, disa kanë qenë të prishura. Tabela ka qenë një lloj dërrase
" Pikërisht ku jemi këtu, kushtet edhe në shkollë nuk kanë qenë të mira, duke filluar nga mjetet didaktike. Por, këtu edhe më të mjerueshme. Falë vullnetit të mirë dhe gjendjes së luftës ne kemi bërë të obligueshme që të mbahet mësim në atë gjendje. Unë si mësues i klasës së parë jam detyruar së bashku me kolegët e mi dhe drejtorin ta mbajmë mësimin ashtu në atë gjendje siç ka qenë. Karriget kanë qenë të improvizuara, disa kanë qenë të prishura. Tabela ka qenë një lloj dërrase mund të them. Shkumësa ka pasur pak ose fare...Edhe në klasë disa ulur, disa në këmbë, ashtu e kemi mbajtë mësimin”, thotë Zeneli.
Ndërkaq, Jahë Jusufi, ish-drejtori i shkollës “2 Korriku” e që tashmë mbanë emrin e dëshmorit Ismet Uka, ka një histori që flet për vështirësitë e kohës. Ai tregon se një mësues kishte përfunduar orën kur kishte dëgjuar zilen e bagëtive që i jehonte nga jashtë, një zë që zëvendësonte mungesën e ziles të shkollës.
Me çka kishte mundur, veterani i arsimit mblidhte copëza të shkumësave dhe i ngjiste bashkë, pasi edhe ata, si shumë gjëra të tjera, mungonin në ato kushte të rënda.
Jusufi: Mësuesi dëgjoi zilen e deles dhe lëshoi nxënësit, serbët kishin marrë edhe zilen e shkollës
"Punoja edhe këtu edhe në Likoc. Në atë kohë nuk kishe gjë as shkumësa. Një rast tepër i veçantë ishte kur mblidhja shkumësa të vegjël dhe i vendosja në fitil dhe e bëja fitilin me shkumësa të vegjël e sillja në shkollën '2 korriku' në Ticë...Edhe një rast i veçantë në këto fusha i kishim tendat dhe në një rast arsimtari Ismet Hamitaj ishte në klasë. Ndërkohë i lëshon bagëtinë dikush këtu, dhe duke bërë një dele me zile kalon nga fushat dhe del arsimtari i lëshon nxënësit. I thashë 'Çfarë u bë Ismet, pse i lëshove nxënësit'. Tha 'Ra zilja'. Pra, e kishte dëgjuar zilen e bagëtive. Aq kishim mundësi, sepse nuk kishim zile se na kishin marrë (serbët)...", tregon Jusufi.
Ndër të tjera, ish-mësuesit treguan se disa nxënës të kësaj shkolle u vranë nga ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.