Sot janë bërë 26 vjet nga masakra e 13 marsit 1999 në tregun e Mitrovicës, ku forcat serbe, përmes një sulmi me minahedhës, vranë 7 shqiptarë e plagosën 128 të tjerë. E ata që arritën të mbijetojnë nga kjo masakër, rrëfejnë ngjarjen e asaj dite.
Aty ku 26 vjet më parë forcat serbe sulmuan me minahedhës, derisa pazari ishte përlot me njerëz. Nga shpërthimi mbeten të vrarë 7 persona, në mesin e tyre edhe fëmijë, ndërsa 128 të tjerë u plagosën.
Dhimbjet e plagëve të marra në 13 marsin e ‘99-ës edhe më shumë se dy dekada pas, ende i ndjen Azem Beqiri, i mbijetuari i masakrës. Madje, para pak ditësh i është nënshtruar një operacioni nga plagët e marra.
"Pas 26 vitesh prapë përballem, para dy ditësh kam hyrë në operacion dhe kam hequr një copë të ashtit", tha Beqiri.
Duke qenë se Azemi në atë kohë punonte në treg, kishte diktuar më herët se diçka do të ndodhte.
"Gjithçka është kon e përgatitur se para vakti i kanë larguar krejt serbët qa kanë qenë në treg, sikur serbe që kanë shitur këtu, si inkasanta, si policia janë larguar prej vendit të ngjarjes ata e kanë ditë krejt me orë se kur ka me ndodhë", tha ai për RTK.
Në momentin e shpërthimit Azemi ishte shumë afër , derisa thotë se përpjekja e forcave serbe ishte të vriste sa më shumë shqiptarë.
"Qëllimi i tyre ishte veç me bo masakër më të madhe të na”, tha ai.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, këtë masakër e ka quajtur akt barbar në të cilin u shuan shtatë jetë të pafajshme nga dora kriminale e regjimit gjenocidal që synoi me granata ta thyejë shpirtin e një populli që luftonte për liri.
Osmani tha se dhimbja u gdhend përjetësisht edhe në trupat e 128 qytetarëve që po atë ditë mbetën të plagosur, duke përsëritur zotimin se do të kërkojnë drejtësi.