Mungesa e infrastrukturës, fëmijë me aftësi të kufizuar mbesin jashtë bankave shkollore

Kosova

Mungesa e infrastrukturës, fëmijë me aftësi të kufizuar mbesin jashtë bankave shkollore

Më: 24 maj 2025 Në ora: 21:13
Pamje nga videoja

Mungesa e standardëve infrastrukturore në shkolla po u pamundësojnë shumë fëmijëve me aftësi të kufizuara shkollimin. Tëvë 1 sjellë rrëfimin e një nënë e cila tregon sfidat me të cilat po përballet për arsimimin e fëmijës së saj.

Për nëntë vite, ishte nxënës i shkollës “Mihal Grameno” në Fushë – Kosovë.

Por me përfundimin e shkollës fillore, djali i Mimoza Rrahmani nuk mundi të vijojë mësimin në shkollën e mesme.

Arsyet shëndetësore ia pamundësuan këtë 16 vjeçarit i cili është me aftësi të kufizuara.

Por ky po del te mos jetë i vetmi problem.

“Vështirësia e këtij vitit të fundit ka qenë edhe që nuk kemi pasur mundësi të vijojmë këtë vitin, klasën e 10-të,  për arsye të kombinimi të çështjeve shëndetësore dhe mungesave të elementeve  të rëndësishme për gjithë-përfshirjen në shkolla", thotë Mimoza Rrahmani – nënë.

Rrahmani thotë se është interesuar që fëmijës së saj t’i mundësojë ndjekjen e procesit mësimor në shkollën e mesme.

Por sipas saj shkollat në Fushë Kosovë nuk kanë kushte infrastrukturore për fëmijë të cilët janë në karrocë.

“Për aq sa kam parë në dy shkollat e mesme në Fushë Kosovë,  nuk kanë qenë kushtet për të vijuar mësimin një person me aftësi të kufizuara, përdorues i karrocës. Nuk ka pas qasje infrastrukturore nuk ka pasur tualet, mësimi mbahej me lëvizshmëri prej një kati në një kat tjetër që e bënte të pamundur edhe pjesëmarrjen në një orë mësimore”, thotë Rrahmani.

Sipas shoqatës “Handikos” në Kosovë, vetëm 3 mijë e 666 nxënës me aftësi të kufizuara ndjekin shkollimin nga gjithsej 212 mijë nxënës që janë shkolla fillore e ato të mesme.

Kjo sipas kësaj shoqate po ndodhë për disa faktorë.

“Mbi 80 përqind nuk janë të përfshirë fare në arsim  e kjo shkaqe të rregullte. Ka faktorë të ndryshëm se pse fëmijët me aftësi të kufizuara nuk janë nëpër banka shkollore. E llogaritet të jetë mungesa e qasjes infrastrukturore sepse shumë objekte nuk ofrojnë qasjen sipas standardeve nisur prej pjerrinave prej ashensorëve prej tualeteve, pastaj mungon transport shtëpi shkollë dhe anasjelltas e sigurisht ndikon edhe gjendja shëndetësore”, thotë Kaltrina Misini, zyrtare për informim në Handikos.

Poashtu mungesa e asistentëve në shkolla është një nga arsyet që këta fëmijë nuk vijojnë mësimin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat