Vendoset gurthemeli i pishinës gjysmë-olimpike publike në Komunën e Podujevës, investim afër 4 milionë euro

Kosova

Vendoset gurthemeli i pishinës gjysmë-olimpike publike në Komunën e Podujevës, investim afër 4 milionë euro

Më: 19 qershor 2025 Në ora: 12:19
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe zëvendësministrja në detyrë, Daulina Osmani, dhe bashkë me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vendosën gurthemelin e pishinës gjysmë-olimpike, në këtë komunë. 

Pishina gjysmë-olimpike ka një vlerë investimi afër katër milionë euro, prej të cilave afër tre milionë e gjysmë euro janë investim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kurse pjesa tjetër investim i Komunës së Podujevës. Sipërfaqja e gjithmbarshme e ndërtimit do të jetë 4556 metra katrorë. Hapësirat përfshijnë përdhesen, katin e parë dhe podrumin. Në kuadër të këtij projekti parashihet ndërtimi i një pishine për not profesional dhe garues, një tjetër për fëmijë dhe hapësira tjera përcjellëse për rekreacion dhe gastronomi. 

Kryeministri u shpreh se me këtë projekt qytetarët e Podujevës do të kenë mjedis të këndshëm, në të cilin ata do të mund të kujdesen për shëndetin e tyre përmes sportit të notit, por edhe të shoqërohen së bashku në një ambient publik i cili kujdeset për mirëqenien e qytetarëve. Ai falënderoi Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit , Hajrulla Çekun, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm.  

Kjo do të jetë pishina e dytë publike gjysmë olimpike në nivel vendi, pas asaj në Komunën e Deçanit. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat