Në praninë e shumë qytetarëve, shokëve dhe miqve, sot në Pirevë të Podujevës iu dha lamtumira e fundit Gazetarit, veprimtarit, ish-Deputetit dhe patriotit të madh, Adil Pireva. Në ceremoninë mortore morën pjesë një numër i madh qytetarësh nga kjo anë, ndërsa për ta përcjellë në banesën e fundit veprimtarin e çështjes kombëtare Adil Pireva, mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar. Po ashtu, në varrimin e tij morën pjesë edhe anëtarë të Shoqatës së të Burgosurve Politikë.
Në këtë tubim mortor ishte i pranishëm edhe ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, si dhe shumë veprimtarë e intelektualë, të cilët respektuan veprën, punën dhe madhështinë e këtij njeriu që gjithë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. Adil Pireva ishte një nga figurat më emblematike të intelektualëve të Llapit dhe Gollakut, por edhe më gjerë.
Emri i tij, si organizator i Demonstratave të vitit 1968 për Kosovën Republikë, kishte depërtuar në të gjitha trojet shqiptare. I ndjeri, edhe pse vuajti gjashtë vite burg në kazamatet e ish-Jugosllavisë, nuk u ndal asnjëherë së kontribuari për Kosovën. Ai ishte Gazetar i Rilindjes, Kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave të Kosovës, redaktor i Qendrës Informative të ÇIK-ut, si dhe ish-deputet i Parlamentit të Kosovës.
Veprimtaria e Adil Pirevës nuk u ndal asnjëherë. Përveç angazhimit politik për mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës, ai la gjurmë të pashlyeshme edhe në kulturë dhe letërsi, duke botuar pesë romane me vlerë artistike, si publicist dhe shkrimtar i njohur. Sot, mbi varrin e tij u vendosën kurora dhe lule të freskëta nga familja e ngushtë, farefisi, si dhe nga Shoqata e të Burgosurve Politikë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për intelektualin e madh, profesor Adil Pireva.
I ndjeri pas vetes la bashkëshorten, vajzën dhe tre djem.