​Mbjelljet pranverore, këshilla për kultivimin e misrit

Kosova

​Mbjelljet pranverore, këshilla për kultivimin e misrit

Më: 17 prill 2026 Në ora: 10:15
Foto ilustrim

Fermerët në Kosovë janë në periudhën e mbjelljeve pranverore, ku një ndër kulturat më të rëndësishme mbetet misri.

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, theksohet se kultivimi i misrit kërkon planifikim dhe kujdes të veçantë, me qëllim rritjen e rendimentit për njësi sipërfaqeje dhe ruajtjen e cilësisë së prodhimit. Për këtë arsye, edhe këtë vit janë planifikuar përkrahje financiare përmes subvencioneve për fermerët prodhues të kësaj kulture.

Në njoftim bëhet e ditur se misri ka rëndësi të madhe për zhvillimin e sektorit të blegtorisë dhe industrisë ushqimore, për shkak të vlerave të larta ushqyese.

Institucioni rekomandon zbatimin e masave agroteknike, si përgatitja e tokës përmes lërimit dhe përdorimit të plehut organik, plehërimi kimik në pranverë, si dhe ripëlhërimi gjatë fazave të zhvillimit të bimës. Po ashtu, rëndësi e veçantë i kushtohet përzgjedhjes së farës dhe hibrideve, të cilat ndryshojnë sipas rajoneve, si në Rrafshin e Kosovës dhe atë të Dukagjinit.

Sipas rekomandimeve, afati optimal për mbjelljen e misrit është nga 15 deri më 25 prill, kur temperatura e tokës arrin 10–12 gradë Celsius, ndërsa për rendimente më të larta sugjerohet edhe përdorimi i sistemit të ujitjes.

Fermerët inkurajohen që për këshilla profesionale të drejtohen në Qendrat Informative Këshillimore Komunale, si dhe në Departamentin e Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike të MBPZhR-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat