​“Ditët e Historisë” rikthehet interesimi i studentëve për studimet historike

Kosova

​“Ditët e Historisë” rikthehet interesimi i studentëve për studimet historike

Më: 25 maj 2026 Në ora: 13:52
Foto ilustrim

Ka nisur sot edicioni i dytë i aktivitetit akademik “Ditët e Historisë”, ku u tha se studimi i historisë është i rëndësishëm për të kaluarn dhe të ardhmen, derisa u theksua se tanimë është rritur interesimi i studentëve për historinë.

Ky edicion është organizuar nga Departamenti i Historisë i Universitetit të Prishtinës në kuadër të Fakultetit Filozofik. Shefi i këtij departamentit të historisë, profesor Mentor Haziri, ka shpallur të hapura “Ditët e Historisë”, aktivitet që po organizohet me pjesëmarrjen e profesorëve, studiuesve, studentëve dhe mysafirëve nga rajoni.

Interesimi i studentëve për historinë është rikthyer

“Megjithëse ka një rënie të numrit të studentëve vitet e fundit, gjithandej historia në vitin e fundit e ka një rikthim të interesimit të studentëve dhe kjo është një kontribut i madh edhe i stafit të departamentit dhe i botimeve që janë bërë, sepse ka një sërë monografish, artikujsh shkencorë në revista kredibile brenda dhe jashtë vendit dhe në disa prej botimeve sigurisht që do të keni mundësi që t’i shihni në ditën e enjte, kur ne do t’i promovojmë veprat e stafit të Departamentit të Historisë.”, tha Haziri.

Dekani i Fakultetit Filozofik, profesor Bekim Maliqi, theksoi rëndësinë e studimit të historisë dhe ndikimin e saj në ndërtimin e së ardhmes së shoqërisë.

Maliqi: Historia më shumë se kurrë sot ka rëndësi

“Unë kam një lidhje edhe personale me historinë sepse kam filluar me studiu historinë në vitet e larta në 1995 dhe i kam përfunduar dy vite, po për shkaqe të njohura mu desh me i ndërpre. Edhe arsyeja pse mendoj që historia është e rëndësishme, ju veç e dini, sepse jeni duke studiu, po mendoj se duhet çdoherë rikujtuar, se nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën, po ka të bëjë edhe me mënyrën se si do ta ndërtojmë të ardhmen. Sepse ne jo vetëm që mësojmë nga e kaluara, po përmes mësimeve nuk i përsërisim gabimet dhe përmirësohemi. Prandaj historia më shumë se kurrë sot ka rëndësi, që jo vetëm të studiohet, jo vetëm të të hapet ndaj fushave të ndryshme të reja, po që çdoherë e më shumë të jetë e kultivuar në shkencën edhe në kërkimet shkencore të ndryshme.”, u shpreh Maliqi.

Në kuadër të këtij aktiviteti “Ditët e Historisë”, u ndanë mirënjohje për studentët bursistë të departamentit, të cilat mbajnë emrin e heroit kombëtar dhe ish-studentit të historisë, Rustem Hyseni.

Me këtë rast, një fjalë emocionuese mbajti vëllai i tij, Muj Hyseni, i cili kujtoi momentet e fundit dhe shkrimet e Rustem Hysenit gjatë luftës.

“Dua të bie për këtë vend”, fjalet e fundit të Rrustem Hysenit

“Rrusta ka lënë ditar të shkruar në mënyrë kronologjike për çdo ditë. E kam ditarin të fotografuar në telefon edhe kohë pas kohe edhe e lexoj, edhe e këqyri çfarë ka thënë, edhe shkruaj nja ka pak, do farë formë poezie për të. Por është interesant çfarë ka thënë më 8 prill ’99-ës. Andaj, pas 10 ditëve, më 18 prill ka qenë për herë të fundit në shtëpi. Më kujtohet, fjalë për fjalë, kemi qenë natën e babës diku më shumë se këtu pjesëmarrës, refugjatë lufte si me thënë që iknim, kush ka mundur të ikte. Edhe tha babës edhe nënës, tha: “Ma dua se me ra për këtë vend, se më ma dhënë të gjithë botën.”, tha Hyseni.

Në kuadër të këtij aktiviteti sot është mbajtur një ligjëratë nga Selami Zalli, drejtor i drejtorisë së Kërkesave të Qytetarëve dhe Shërbimeve Rehabilituese pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili deklaroi se çdo qytetar ka të drejtë të informohet mbi dokumentacionin e krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit gjatë periudhës komuniste.

Zalli: Ligji për hapjen e dosjeve është ligj për njohje

“Autoriteti i Dosjeve merret me njohjen, bashkëpunimin, sekrete të ish-Shërbimit Sekret gjatë periudhës komuniste. Dhe fusha e veprimtarisë është fillimi nga 29 nëntor i vitit 1944 deri në 2 korrik të vitit 1991… Ligji për hapjen e dosjeve do të bëhet i qartë se nuk është ligj për lustracion. Është ligj për njohje, për informim, për dokumentet e krijuara sekret… Në Autoritetin e Dosjeve ka të drejtë çdo qytetar që të vijë të informohet për dokumentacionin që është krijuar dhe ruajtur për të. Po kush janë këta qytetarë? Janë palët e prekura, persona që janë ndjekur drejtpërdrejt. Ka palë të treta, të rënë shqiptarë, bashkëpunëtorët dhe të favorizuarit nga Sigurimi i Shtetit. Këta futen në kuadër të kërkesave individuale. Pra, çdonjëri nga ju mund t’i drejtohet Autoritetit të Dosjeve”, u shpreh ai.

Ai theksoi se qëllimi i ligjit është njohja e së vërtetës historike, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe shmangia e riviktimizimit të personave të prekur nga regjimi komunist.

Përgjatë pesë ditëve, aktiviteti do të mbledhë profesorë, studiues, studentë dhe mysafirë ndërkombëtarë në ligjërata, promovime botimesh, diskutime shkencore dhe vizita studimore në vende me rëndësi historike në Kosovë, me synim promovimin e studimeve historike dhe nxitjen e debatit akademik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat