MASh hap konkurset për bursa të doktoratës dhe postdoktoratës, deri në 10 mijë euro mbështetje

Kosova

MASh hap konkurset për bursa të doktoratës dhe postdoktoratës, deri në 10 mijë euro mbështetje

Më: 20 tetor 2026 Në ora: 17:20
Fotoilustrim

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka hapur konkurset për mbështetje financiare të studentëve të doktoratës dhe kërkuesve shkencorë përmes bursave për studime brenda dhe jashtë vendit, si dhe për hulumtime postdoktorale jashtë vendit.

Sipas njoftimit të ministrisë, mbështetja financiare do të ofrohet përmes tri skemave të bursave, në përputhje me Programin Kombëtar të Shkencës.

Për studimet e doktoratës brenda vendit, kandidatët do të mund të përfitojnë bursa në vlerë prej 3 mijë eurosh, ndërsa për studimet e doktoratës jashtë vendit janë paraparë 8 mijë e 500 euro. Ndërkaq, për hulumtimet postdoktorale jashtë vendit, mbështetja financiare do të jetë 10 mijë euro.

MASh ka bërë të ditur se, për herë të parë, po ofron mbështetje të dedikuar edhe për studentët që ndjekin studimet e doktoratës në institucionet vendore.

Përmes këtyre bursave, ministria synon të krijojë mundësi më të mira për zhvillimin akademik dhe profesional të studiuesve të rinj, të nxisë përsosmërinë shkencore dhe të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe cilësinë e kërkimit shkencor në vend.

Po ashtu, fuqizimi i hulumtimit dhe inovacionit në institucionet e arsimit të lartë pritet të jetë një nga komponentët e rëndësishëm të Strategjisë së re për Arsim 2035+, me synim që universitetet të kenë rol më të madh në zhvillimin e vendit dhe në përmbushjen e prioriteteve shtetërore, raporon IndeksOnline.

Ministria u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve të interesuar që të shqyrtojnë kriteret dhe kushtet e aplikimit, si dhe të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara në konkurset përkatëse.

Dokumentacioni i plotë dhe detajet për aplikim janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës: https://mash.rks-gov.net/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat