Komuna e Vitisë po vazhdon investimet në infrastrukturën rrugore, me qëllim të përmirësimit të kushteve të qarkullimit dhe lehtësimit të lëvizjes për qytetarët në disa lokalitete të kësaj komune, shkruan “Bota sot”.
Aktualisht, janë duke u zhvilluar punimet për përgatitjen e disa segmenteve rrugore për asfaltim. Ndër lokacionet ku po punohet janë Debelldehu, në vendin e njohur si “Kodra e Furrës”, Sadovina e Çerkezëve, te varrezat e reja, segmenti nga Lindi deri te rruga Mogillë–Viti, si dhe në qytetin e Vitisë, në rrugën nga shkolla fillore “Dëshmorët e Vitisë” deri te vendi i njohur si Bahçet.
Punimet i ka vizituar nga afër kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili ka vlerësuar rëndësinë e këtyre projekteve infrastrukturore për banorët.
Ai ka theksuar se investimet në infrastrukturën rrugore ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës, lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Haliti ka bërë të ditur se Komuna e Vitisë do të vazhdojë realizimin e projekteve të tjera infrastrukturore, me synimin që të përmirësohen vazhdimisht kushtet e jetesës për të gjithë qytetarët e kësaj komune.