Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas gjerman, i cili kërkohej nga Interpol-i me urdhërarrest ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet gjermane për veprat penale të vrasjes në tentativë dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është kryer më 30 tetor 2026, rreth orës 17:40, në Prishtinë, nga njësitet e Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet e tjera policore.
I arrestuari, i identifikuar me inicialet T.Y., ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest nga autoritetet gjermane për veprat penale të sanksionuara sipas Kodit Penal të Gjermanisë.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.