Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, e cila dyshohet për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, përmes dokumenteve të falsifikuara për shitjen e pronave në Kosovë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, e pandehura dyshohet se ka përdorur autorizime të falsifikuara, kinse të lëshuara nga xhaxhai i saj, për të shitur pronat e tij që ndodhen në Kosovë.
Rasti përfshin disa transaksione pronësore në Ferizaj dhe Shtime, transmeton "Bota sot".
Sipas aktakuzës, më 13 nëntor 2024, e pandehura dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara në Gjykatën Themelore në Ferizaj, përmes të cilave një personi i është njohur e drejta e pronësisë mbi disa parcela në zonën kadastrale Petroviq të Shtimes.
Prokuroria pretendon se mashtrimi kishte nisur edhe më herët. Gjatë vitit 2016, e pandehura dyshohet se kishte bindur një person se kishte autorizim për shitjen e një prone, duke përfituar para përmes pagesave në llogarinë e saj bankare. Në këtë rast, të dëmtuarit i është shkaktuar dëm prej 200 mijë eurosh.
Ndërkaq, në vitin 2018, ajo dyshohet se ka mashtruar edhe një person tjetër përmes një para-kontrate për shitblerjen e pronës, duke i shkaktuar dëm pasuror prej 120 mijë eurosh.
Në total, dëmi i pretenduar nga Prokuroria në këto dy raste të mashtrimit arrin në 320 mijë euro.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurën ta shpallë fajtore dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.