ASH-AAA: Sinjal i keq i një kryeministri, i cili mandatin e ka marrë me premtimin për fillim të negociatave

Maqedonia

ASH-AAA: Sinjal i keq i një kryeministri, i cili mandatin e ka marrë me premtimin për fillim të negociatave

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 16:11
Foto ilustrim

Në paraqitjen e djeshme të Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, në dy raste u kritikua BE, herën e parë Kryeministri Zaev theksoi se BE ka përcjellë sinjal të keq, ndërsa herën e dytë thekson se nuk do të lejoj që  dështimi i BE me mosmiratimin e kornizës negociuese, të paraqes ngecje në reformat e brendshme.

 

Ky është një sinjal i keq i një kryeministri, i cili mandatin e ka marrë me premtimin për fillim të negociatave dhe tani duke tentuar që fajin ta hedh mbi BE, me apo pa vetëdije, po mundohet të krijoj euroskepticizëm edhe atë pikërisht për shkak të paaftësisë së qeverisë dhe ministrave të saj. Kështu filloi edhe Gruevski pas samitit të Bukureshtit në vitin 2008, edhe pse në vitin 2005 ishim shembull në rajon në lidhje me reformat, ndërsa ku jemi tani?

 

Duhet të kemi guxim që të merren përgjegjësi dhe jo të shpikni “AKSION të koduar 21 apo 22”, vetëm për t`i ikur përgjegjësisë, për çka paraardhësi juaj përfundoi në ekzil, e që në të njëjtën rrugë jeni nisur edhe ju kryeministër Zoran Zaev.

 

Kryeministri, duke u munduar që të tregoj se fajtori nuk është tе qeveria apo nuk ekziston fare (ekziston thënie të shqiptarët “faji është jetim”) dhe duke i paraqitur reformat me emrin e ri AKSIONI 21, për standarde evropiane në shtëpi, me 10 prioritete, kurse në të vërtet nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim.

Ne këtë plan AKSIONIN 21 e interpretojmë si përpjekje e Qeverisë dhe Kryeministrit për ikje nga përgjegjësia për shansin e humbur për hapjen e bisedimeve me BE.

 

Për ne si Koalicion Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është e papranueshme të eksperimentohet me përcaktimet strategjike të vendit dhe vlerësojmë se asnjë AKSION nuk mund të zëvendësohet me anëtarësimin e vendit në BE.

 

Kur jemi te prioritetet, rastësisht apo jo, numër 1 në listë është Pastrimi i Gjyqësorit.

Kryeministri thotë se “jemi në finale të reformave të thella dhe thelbësore në gjyqësor përmes pastrimit objektiv dhe efikas të gjyqësorit dhe prokurorisë”.

 

Por, ai harron se pikërisht raporti i Komisionit Evropian, në pjesën e gjyqësorit, thotë se Sistemi Gjyqësor në Maqedoninë e Veriut ka një nivel të përgatitjes mesatarisht të përgatitur. Në vazhdim, na lejoni që të citojmë pjesë nga raporti: “I ashtuquajturi rasti “Zhvatja” është brengosësh”. Këtë e thotë raporti i BE, përderisa Zaevi thotë të se jemi në finale të pastrimit të Gjyqësorit.

 

Ne e kuptojmë qasjen joserioze në reformat e thella dhe thelbësore në gjyqësor, por me deklarimet tuaja  vetvetiu tregoni vazhdimësinë e ndikimit ndaj sistemit gjyqësor me të ashtuquajtur tefter, prandaj ju sugjerojmë që të largoheni nga politika e cila ndikon në gjyqësor dhe gjykatësit me tefter dhe lejoni që reformat të arrihen me debate profesionale dhe iniciativat të fillojnë nga kuvendi dhe profesionist të fushës.

 

Në fakt, çdoherë kur mafia, respektivisht koalicioni, ndërtohet me afera të caktuara apo në  rastet e disa ditëve më parë  me sekuestrimin e marihuanës, në vend të përgjegjësisë ju dilni me ide të reja dhe “AKSIONE” duke u sjellë si naiv dhe se nuk dini asgjë edhe atë si Kryeministër. A nuk është kjo çudi?

Në vazhdim, pjesë e “AKSIONIT 21”, konkretisht prioritet i dytë, thoni që do të jetë Lufta Kundër Korrupsionit!

Ja një pjesë e raportit të KE për avancimin e vendit: “Korrupsioni është i përfshirë në të gjitha anët dhe në shumë fusha  dhe duhet të sigurohet qasje më aktive nga të gjithë aktorët e përfshirë dhe që merren me ndalimin dhe luftën kundër korrupsionit”.

Në raport thuhet se vërehet mungesa e përndjekjes dhe gjykimit të rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit. Si një ndër rekomandimet kryesore të raportit është që shteti të demonstrojë vullnet politik për luftën kundër korrupsionit duke përkrahur trupa relevante, duke i financuar ato dhe duke i ndihmuar me resurse kadrovike dhe duke u siguruar politika të qarta me udhëzime për të gjitha institucionet shtetërore për atë se si ta parandalojnë korrupsionin në përputhje me rekomandimet e Komisionit Shtetëror për ndalimin e Korrupsionit.

T`ua kujtojmë, Kryeministër, se Komision Shtetërorë për Ndalimin e Korrupsionit ju rekomandon se ekziston konflikt interesi në emërimin e drejtorit të MEPSO-s.

Qeveria LSDM-BDI madje ka emëruar koordinator në luftën kundër korrupsionit, por edhe sot e kësaj dite asgjë nga ky koordinim, pra rezultati është ZERO.

Kryeministri foli edhe për transparencën e qeverisjes lokale, sikur ajo qendrore është shumë transparente, dhe tani do të na mbajnë leksion për qytetarët. Ai thotë se rekomandim i tij është që komunat duhet ta rrisin transparencën, sepse kemi të dhëna se qeverisja lokale në mënyrë të pamjaftueshme e ndjek qeverisjen qendrore, kur është në pyetje hapja e tyre dhe transparenca. Mos jeni vetëm 100 ditë në qeveri z. Zaev?!

Zbulimet tuaja tregojnë se te numri më i madh i komunave ekziston mungesë e informacioneve për harxhimet e mjeteve buxhetore nga ana e vetëqeverisjes lokale, përderisa Tearca, Haraçina, Saraji, Likova, Tetova, Dollneni janë në fund të listës për transparencë si komuna, ndërsa kuadër i juaji udhëheq me ato Komuna. Ku është këtu morali?

Përveç kësaj, thoni që do t`i kushtëzoni komunat që të marrin mjete për projekte nga qeverisja qendrore. Prandaj pyesim: a është edhe ky një truk për t`i diskriminuar komunat që udhëhiqen nga ana e opozitës?

Pyetja e fundit është: kush do ta bëjë vlerësimin dhe me çfarë kritere do të vendoset se cila komunë do të marrë mjete financiare dhe cila jo? Apo përsëri libreza partiake e Kryetarit të Komunës do të vazhdojë të jetë kusht?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat