Takim i frytshëm i drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela me ministren e Kulturës, Irena Stefoska

Maqedonia

Takim i frytshëm i drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela me ministren e Kulturës, Irena Stefoska

Më: 19 mars 2021 Në ora: 20:05
Foto nga vendi i ngjarjes

Me ftesë të ministres së Kulturës të RMV-së, Irena Stefoska, sot  drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela me bashkëpunëtorët e tij, Ahmet Selmani dhe Liljana Pandeva, zhvilloi një takim pune. Qëllimi i këtij takimi ishte konsultimi për disa çështja nga sfera e humanistikës që kanë të bëjnë me përkthyesit dhe përkthimin në RMV.

Sipas ministres Stefoska patjetër duhet të kthehet dinjiteti i përkthyesve vendës, prandaj është e domosdoshme mbështetja dhe stimulimi i tyre. Duke u nisur nga kjo, ajo propozoi që të hartohet një program për mbështetjen e përkthyesve, përkatësisht stimulimin e tyre në vendin tonë.

Po ashtu ajo hodhi idenë që të hartohet edhe një program për përkthime të kryqëzuara, siç i quajti ajo, domethënë përkthime nga autorë maqedonas në shqip dhe nga autorë shqiptar në maqedonisht. Krahas këtyre, ajo propozoi edhe një program për furnizimin e disa bibliotekave në qytetet tona me botime (përkthime) nga Shqipëria, pra si një import intervenues për pasurimin e bibliotekave, sepse numri i lexuesve është i lakmueshëm.

Por paraprakisht ranë dakord që të organizohet një tryezë e rrumbullakët për të diskutuar me përkthyes, bibliotekarë, botues etj., dhe për të ndërtuar një strategji lidhur me këtë çështje. Gjatë takimit në fjalë, si pikë të veçantë ajo e shtroi edhe çështjen e licencave për lektorë në gjuhën shqipe, me qëllim që të zgjidhet statusi i tyre njësoj si ai i lektorëve për gjuhën maqedonase.

Për të gjitha këto ide e propozime ranë dakord të dyja palët, që të mbështeten përkthyesit në RMV, si dhe të diskutohen bashkërisht të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përkthimin dhe lekturën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat