RMV, Serbia dhe Mali i Zi nënshkruan marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave të pronave të funksionarëve publikë

Maqedonia

RMV, Serbia dhe Mali i Zi nënshkruan marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave të pronave të funksionarëve publikë

Më: 19 mars 2021 Në ora: 20:09
Foto ilustrim

Ministrja serbe e Drejtësisë, Maja Popoviq, ministri malazez i Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq dhe kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, Biljana Ivanovska nënshkruan sot në Beograd marrëveshje ndërkombëtare për shkëmbimin e të dhënave për pronën e zyrtarëve apo funksionarëve publikë, të përgatitur në kuadrin e Nismës Rajonale të Antikorrupsionit.

Kjo është marrëveshja e parë e tillë në rajon. Pas ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje në shtetet nënshkruese, autoritetet kompetente të një shteti, me kërkesë të një shteti tjetër, do të japin informacion mbi pasurinë e mundshme ose aktivitetet e biznesit të zyrtarëve publikë të dyshuar për kryerjen e një krimi ose të çdo lloj korrupsioni.

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, kryetarja i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ndërkombëtare hap një mundësi të re për të kontrolluar të dhënat mbi pronën dhe interesat e zyrtarëve jashtë vendit të tyre të lindjes, dhe se ky është hapi i parë drejt zbulimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme që transferohet ose blihet jashtë vendit.

Në praktikë, për shembull, Komisioni për Luftën Kundër Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, i cili shqyrton një nëpunës publik, do të jetë në gjendje të kërkojë informacion direkt nga kolegët në Serbi dhe në Malin e Zi në lidhje me pronën e këtij nëpunësi publik – nëse ai zotëron një punë, biznes, pronë dhe më pas agjencia kompetente në Serbi ose Mal të Zi do t’ia paraqesë këtë informacion komisionit në Maqedoninë e Veriut.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një nga përparësitë në punën e Qeverisë së Republikës së Serbisë”, tha ministri Popoviq me këtë rast.

“Serbia është plotësisht e angazhuar në procesin e integrimit evropian dhe është e vetëdijshme për nevojën për procese thelbësore dhe të plota të reformave në fushën e drejtësisë dhe të drejtave themelore, si dhe në fushën e luftës kundër korrupsionit”, theksoi Popoviq, sipas një deklarate nga Ministria e Drejtësisë të Serbisë.

Ministri malazez i Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq tha se Marrëveshja Ndërkombëtare e Shkëmbimit të të Dhënave që synon verifikimin e deklaratave të pasurisë, ka si qëllim që të kontribuojë në parandalimin e korrupsionit përmes shkëmbimit të drejtpërdrejtë administrativ të të dhënave të deklaruara të pronës midis palëve nënshkruese të marrëveshjes.

“Është fakt se nuk është e pazakontë që njerëzit të transferojnë pronë në një vend tjetër në mënyrë që të anashkalojnë ligjin, kështu që është veçanërisht e rëndësishme të zhvillohen mekanizma për të përmirësuar shkëmbimin e informacionit që mund të çojë në veprimtari të tilla të paligjshme”, tha Leposaviq.

Vlladan Joksimoviq, drejtori i Sekretariatit të Nismës Rajonale të Antikorrupsionit, i cili hartoi marrëveshjen e nënshkruar, beson se ceremonia e sotme shënon fillimin e një forme të re dhe të drejtpërdrejtë të bashkëpunimit ndërshtetëror midis vendeve nënshkruese për të siguruar transparencën dhe forcimin e integritetit të nëpunësve publikë.

“Duke nënshkruar këtë marrëveshje, delegacionet e Malit të Zi, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë edhe një herë treguan angazhimin thelbësor të vendeve të tyre në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e bashkëpunimit në rajon,” tha Joksimoviq.

Lidhja e Marrëveshjes Ndërkombëtare të Shkëmbimit të të Dhënave që synon verifikimin e deklaratave të pasurisë do të përmirësojë bashkëpunimin në shkëmbimin e të dhënave gjatë verifikimit të statusit pasuror të nëpunësve publikë dhe personave të lidhur me ta, citohet në deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat