Raporti i historianëve mbetet parakusht për konferencën ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe Bullgarisë

Maqedonia

Raporti i historianëve mbetet parakusht për konferencën ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe Bullgarisë

Më: 21 mars 2021 Në ora: 08:18
Foto ilustrim

Ende asgjë të re nga Komisioni i historisë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, raporti vjetor i të cilit mbetet një nga parakushtet për Konferencën dypalëshe ndër-qeveritare. Pala e Maqedonisë pranë Komisionit nuk jep më shumë detaje, vetëm thotë se po punohet intenzivisht për harmonizimin e raportit vjetor dhe procesverbalit për takimin e njëmbëdhjetë, ndërsa takimi i radhës është caktuar për në fund të prillit. Por pikërisht historianët e vendit, sipas fqinjit lindor, mbeten shkaku i mos-suksesit të Komisionit. Historiani bullgar, Anton Pançev vlerëson se historianët nga Maqedonia e Veriut i ndjekin udhëzimet e autoriteteve politike, përderisa ato nga Bullgaria janë profesionistë që punojnë me prova autentike. Pançev tha për Alsat se ky komision nuk do të ketë asnjë progres për aq kohë sa Shkupi të mos e ndryshojë qasjen.

“Ka dy rrugë: Ose historianët nga Maqedonia e Veriut mund të prezantojnë burime autentike për shembull për Samoilin si mbret maqedonas dhe ne menjëherë do ta pranojmë tezën e tyre, ose ta pranojnë të vërtetën historike se Mbretëria e Samoilit ka qenë mbretëri bullgare. Dhe unë mendoj se shumë lehtë mund të zgjidhet mos-marrëveshja, por për fat të keq përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut nuk prezantojnë asnjë dokument, thjeshtë e shikojnë Komisionin si një vegël për ta mashtruar opinionin bullgar dhe atë të Maqedonisë së Veriut se ka punë.”

Ai pranon se me afrimin e zgjedhjeve në Bullgari ka shumë emocione tek politikanët bullgarë, megjithatë është kategorik se nuk bëhet fjalë për debat politik që do përfundojë pas zgjedhjeve, por për interes kombëtar bullgar për të cilin janë unifikuar të gjithë.

“Është debat që e prek në thelb sigurinë kombëtare bullgare, sepse Bullgaria ka një vend në Evropë jo për shkak të ekonomisë së saj, por për shkak të qytetërimit bullgar gjatë Mesjetës. Ne pretendojmë dhe i kemi provat se Bullgaria ua kishte dhënë serbëve, rusëve, ukrainasve alfabetin, gjuhën në atë periudhë. Dhe nuk mund të lejojmë kombi bullgar, qytetërimi bullgar të vihet në asnjë mënyrë në rrezik duke pranuar disa teza që nuk kanë asnjë shtyllë shkencore.”

Përskaj raportit vjetor të Komisionit të historisë, për mbajtjen e konferencës dypalëshe ndër-qeveritare nevojitet edhe harmonizim i Planit të Përbashkët Aksionar nga ana e ministrive të jashtme. Por as në këtë drejtim nuk ka asgjë të re, ndonëse Ministri, Osmani më 16 shkurt tha se 99% e planit ishte harmonizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat