Reis Ulemaja në drekë pune me ambasadorin francez në Shkup

Maqedonia

Reis Ulemaja në drekë pune me ambasadorin francez në Shkup

Më: 24 mars 2021 Në ora: 21:30
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot, më 24 mars 2021, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, u prit në takim të parë në një drekë pune në Rezidencën e Francës, nga Shkëlqesia e Tij, ambasadori i Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Siril Bomgartner (Cyrille Baumgartner). Në takim ishin të pranishëm edhe këshilltari i parë politik-zëvendës-ambasadori, z. Stanislas Mrozek, si dhe përkthyesi i kësaj ambasade dhe përgjegjësi për protokollin, z. Ardian Ramadani.

Fillimisht kryetari uroi nikoqirin për marrjen e postit të ambasadorit fuqiplotë në vendin tonë, duke i dëshiruar suksese dhe mbarësi, e mandej ky i fundit e uroi njëkohësisht kryetarin për përzgjedhjen e tij në postin e kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, duke i uruar gjithë të mirat në realizimin e detyrave.

Në takim, kryetari e njoftoi ambasadorin dhe të pranishmit me ecurinë e punëve në Bashkësinë Fetare Islame, institucion kyç në RMV, fill pas marrjes së detyrës së kryetarit, si dhe për sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet ky institucion.

Bashkëbiseduesit folën, ndër të tjera, për angazhimin e komuniteteve fetare në promovimin e marrëdhënieve në mes të bashkësive dhe bashkëjetesën e traditave fetare në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari informoi ambasadorin për gjendjen në këtë institucion të rëndësishëm legjitim, që përfaqëson myslimanët në RMV, si dhe për çështjet, që lidhen me dialogun ndërfetar, duke theksuar rëndësinë e këtij të fundit, për ndërtimin e një Evrope ku respektohen dallimet dhe diversitetet.

Organigrama e këtij institucioni mund të shërbejë si një model funksionimi edhe për shtetet tjera, përfshirë këtu edhe Republikën e Francës, ku besimtarët do të mund të përfaqësohen denjësisht, duke iu shmangur devijimeve të ndryshme që shpijnë në radikalizëm dhe në rrugë jo të duhur.

Në fund të takimit, u vendos për vazhdimin dhe thellimin e marrëdhënieve mes Ambasadës së Fracës në RMV dhe Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat