Bastoret në Maqedoni nuk pranojnë të vendosen në distancë 500 metra nga shkollat

Maqedonia

Bastoret në Maqedoni nuk pranojnë të vendosen në distancë 500 metra nga shkollat

Më: 16 prill 2021 Në ora: 14:14
Foto ilustrim

Asociacioni i bastoreve sportive të Maqedonisë (ABSM) kërkon nga Qeveria që të mos e miratojë Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse dhe të vendos ligj cilësor, me të cilin do të arrihen disa ndryshime pozitive. ABSM dje paralajmëroi se do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet në dispozicion, duke përfshirë edhe protestat që ta pengojnë miratimin e Ligjit.

“Asociacioni i bastoreve sportive të Maqedonisë, anëtarët e Asociacionit, por edhe një numër i madh i ndërmarrjeve bashkëpunëtorë, kanë parashtruar më shumë se 250 komente për Ligjin, që përmban disa palogjikshmëri dhe kufizime. Nëse miratohet Propozim-ligji në këtë formë, me përgjegjësi pohojmë se i jepet fund organizimit legal të lojërave të fatit dhe dërgohen në rrugë më shumë se 8000 të punësuar në këtë veprimtari”, deklaroi kryetari i ABSM-së, Vasko Ilievski në konferencën e djeshme për shtyp.

Ilievski potencoi se propozimi për vendosjen e distancës fizike të objekteve për lojëra të fatit nga shkollat e mesme është tërësisht i papranueshëm.

“Propozimi për distancë prej 500 metrave do të thotë mbyllje të më shumë se 98 për qind të objekteve që tani punojnë, tregojnë analizat që i kemi bërë gjatë periudhës së kaluar. Distanca fizike nuk ka efekt pozitiv ndaj shprehive të lojtarëve dhe askund në botë, me asnjë studim nuk është paraqitur efekti pozitiv. Druajmë se pas këtij ligji de fakto qëndron interesi për ndalesë të industrisë legale të lojërave me fat dhe mbyllja e objekteve, por ndoshta edhe interesa të tjera të fshehura”, tha kryetari i ABSM-së.

Propozim-ligji i tillë nuk do ta arrijë qëllimin për rregullimin e lojërave të fatit, mbrojtjes së lojtarëve ose rritjes së të ardhurave në buxhet, pasi, siç tha Ilievski, me mbylljen e objekteve do të humben të ardhurat në buxhet, të cilat janë më shumë se 250 milionë euro në nivel vjetor. Siç tha ai, nga kjo degë në mënyrë direkte apo indirekte të ardhura të rregullta kanë më shumë se 54 mijë njerëz, shumë familje do të mbeten pa të ardhura, ndërsa më së shumti do të vuajnë më të rinjtë, për të cilët ky është burimi i vetëm i të ardhurave, gjë që do të sjell deri te papunësia tek personat e rinj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat