Maturantët e Tetovës, Gostivarit dhe të Shkupit e mirëpritën ofertën arsimore të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të Universitetit të Tetovës

Maqedonia

Maturantët e Tetovës, Gostivarit dhe të Shkupit e mirëpritën ofertën arsimore të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të Universitetit të Tetovës

Më: 23 prill 2021 Në ora: 19:32
Foto nga vendi i ngjarjes

Maturantët e shkollave të mesme të qytetit të Tetovës, të Gostivarit dhe kryeqytetit të vendit tonë –Shkupit, janë njohur me ofertën mësimore-shkencore të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, që kjo njësi akademike e UT-së ofron për vitin 2021/2022.

Mësimdhënësit e FTUU-së, për maturantët e shkollave të mesme të qyteteve të lartpërmendura e kanë prezantuar informacionin e përgjithshëm, periudhën e regjistrimeve dhe detaje të tjera si kushtet e studimit, përfitimin e bursave studentore dhe mundësitë e punësimeve që ofrohen në tregun e punës pas përfundimit të studimeve.

Profesorët e FTUU-së që morën pjesë në promovimin e ofertës akademike, vlerësojnë se maturantët e kësaj gjenerate edhe përkundër mënyrës së re të prezantimit (online), kanë treguar interes të lartë për ta ndjekur këtë fushatë promovimi të programeve studimore.

Ata shprehen se nga viti në vit fakulteti i tyre bëhet edhe më atraktiv për të rinjtë e vendit tonë dhe rajonit, ndaj pritshmëritë për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2021/2022 janë mjaft pozitive.

Prof. Dr. Xhezair Idrizi – dekan i FTUU-së, shprehet i kënaqur me ecurinë e përgjithshme të kësaj njësie akademike si në aspektin edukativ –arsimor, por edhe në hulumtimet shkencore që realizohen në laboratorët e këtij fakulteti.
“Studentët e diplomuar në programet e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit përgatiten dhe kualifikohen për punë në lëmin e zhvillimit dhe kërkimit për detyrat e sistemit për kualitet të përpunimit të ushqimit, përgatitjes teknologjike të prodhimtarisë dhe detyrat profesionale në pjesën më të madhe të prodhimit të ushqimit dhe prodhimit të lëndëve të para. Detyrat në sistemet e kontrollit të cilësisë së përpunimit përfshijnë detyrime profesionale që janë të lidhura me inspektimin e proceseve të prodhimit dhe kualitetit të ushqimit, lëndëve të para dhe materialeve, me qëllim që të prodhohen produkte finale të përshtatshme me rregullativat dhe standardet sociale, nacionale dhe ndërkombëtare të cilësisë. Zhvillimi dhe sigurimi i kualitetit të ushqimit përfshin eksperimente laboratorike, kimike, fizike, mikrobiologjike dhe senzorike”- theksoi dekani, Prof. Dr. Xhezair Idrizi.

Ai po ashtu deklaroi se Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit ka laboratorin me pajisjet më bashkëkohore për kontrollin e produkteve ushqimore. Studentët e diplomuar në këtë fakultet punësohen në institucionet mësimore, në organizata që merren me sistemet për kontrollin e cilësisë (shërbime inspektimi në sferën e sigurisë ushqimore) dhe në institucionet që merren me kërkime të ushqimit si dhe zhvillim.

Ky fakultet i Universitetit të Tetovës tashmë ka ndërtuar një marrëdhënie të suksesshme bashkëpunimi me fakultete partnere nga rajoni, me sipërmarrje të njohura, ku në disa prej tyre punojnë dhjetëra kuadro që kanë mbaruar studimet në këtë njësi akademike të UT-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat