Xhaferi, Buçiq: Shkupi dhe Podgorica janë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE

Maqedonia

Xhaferi, Buçiq: Shkupi dhe Podgorica janë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE

Më: 21 qershor 2021 Në ora: 17:15
Foto nga takimi

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në margjinat e Sesionit të tetë plenar të AP të PBEJL-së, që mbahet prej më 21 deri 23 qershor të vitit 2021 në Antali, realizoi takim bilateral me Aleksa Beçiq, kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi.

Sipas njoftimit të shërbimit kuvendar për shtyp, në takim, Xhaferi theksoi se vendet në rajon ndajnë qëndrime të përbashkëta në drejtim të nevojës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, përmes ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe avancimit të bashkëpunimit rajonal. Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi i bashkon miqësia tradicionale si edhe lidhjet e mira politike, kulturore dhe ekonomike. Anëtarësimi në NATO dhe ardhmëria e përbashkët evropiane të të dyja shteteve, në mënyrë plotësuese i përforcon marrëdhëniet e ndërsjella. Ai e përshëndeti përparimin e Malit të Zi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe angazhimin e Qeverisë të Malit të Zi të punojë në agjendën e BE-së. Në drejtim të integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, ai

sugjeroi se presim pritjen e negociatave aderuese me Unionin. Nënvizoi se mbesim të përkushtuar ndaj Marrëveshjes së miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me Bullgarinë prej vitit 2017 si një bazë e mirë për tejkalimin e dallimeve. Kryetari Xhaferi shprehu shpresë se në periudhën e ardhshme do të intensifikohen kontaktet dhe bashkërisht me qasje racionale do të arrihet sukses në kthimin e besimit me çka do të hapen dyert për fillimin e procesit të aderimit.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, z. Aleksa Beçiq theksoi se marrëdhëniet mes dy shteteve janë në nivel të lartë, me mbajtjen e konsultimeve të rregullta politike. Në drejtim të bashkëpunimit ekonomik shprehu shpresë se do të vazhdojnë të thellohen marrëdhëniet rajonale si bazë për bashkëpunim ekonomik më intensiv dhe para së gjithash, ndërlidhje më të mirë infrastrukturore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Bashkëbiseduesit këmbyen informata dhe përvoja për procesin e avancimit të punës parlamentare si edhe përmirësimin e transparencës dhe përgjegjësisë në të dy parlamentet me qëllim të zbatimit më të mirë të rolit të tyre mbikëqyrës dhe kontrollues mbi qeveritë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat