Kryetari i lëvizjes “Besa” tregon pse dolën nga qeveria: Zgjedhje të parakohshme në 2022

Maqedonia

Kryetari i lëvizjes “Besa” tregon pse dolën nga qeveria: Zgjedhje të parakohshme në 2022

Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 00:43
Bilal Kasami

Bilal Kasami, kryetari i Lëvizjes “Besa” dhe kryetar i Komunës së Tetovës ka treguar në emisionin “Ballkan” në ABC përballë gazetares Linda Karadaku, pse dolën nga qeveria duke prishur koalicionin qeverisës të drejtuar nga kryeministri aktual Zoran Zaev.

Kasami deklaroi se BDI kontestoi pa të drejtë rezultatin ku “Besa” kishte dalë fituese e votës së qytetarëve. Ai tha se i kishin vënë ultimatum Zaev që nëse BDI nuk tërheq ankesën do tërhiqen nga qeveria, dhe kështu ndodhi.

Kasami komentoi edhe rolin e “Alternativës” ku tha se ajo është futur për të herë të dytë në pushtet për të marrë pjesën e pushtet dhe përgjegjësinë që i takon. Ai u shpreh se kishin rënë dakord paraprakisht me Zaev që të merrnin dy ministri por kjo nuk u finalizua pasi “krisej” raporti mes shqiptarëve dhe maqedonasve në qeveri.

Lidhur me qeverinë e re, Kasami u shpreh se misioni bëhet akoma më i vështirë kur ka përpara suksesin e Zaev në krye të qeverisë duke arritur marrëveshje me Greqinë dhe Bullgarinë. Sipas tij zgjedhjet e parakohshmen do të bëhen në pranverë ose brenda vjeshtës së vitit 2022.

Pjesë nga intervista

Pse doli Lëvizja Besa nga qeveria?

Situata ishte e komplikuar. Lëvizja Besa bëri një veprim të parin për partitë politike shqiptare duke vlerësuar punët që u bënë në drejtim të integrimit në BE. Marrëveshja me Greqinë dhe Bullgarinë. Pati një relaksim të marrëdhënieve ndëretnike. Ne patëm një periudhë të vështirë kur ishim mes dy subjekteve të mëdha LDK dhe BDI dhe nuk patëm mirëkuptim nga ana e tyre për veprimin që bënë. Lufta e tyre pati pasoja të mëdha në drejtim të marrëveshjes me të cilën ne u futëm. Ne kemi qenë të kujdesshëm se çështjet kombëtare ishin më të mëdha se problemet brenda koalicionit. Partitë dolën me kandidatë, kuadro të vet dolën me kandidatë. Kjo bëri një parcializim të votës së partive në qeveri përkundër opozitës që doli më e bashkuar. Kishim një situatë që nuk mund ta tejkalonim kur BDI kontestoi pa të drejtë rezultatin në komunën që udhëhiqej nga Lëvizja Besa. E ankimoi rezultatin dhe tentoi të ndryshojë votën e qytetarëve. BDI nuk e tërhoqi ankesën dhe ne ishim të detyruar të tërhiqeshim nga qeveria. Për ne vlera bazë është e drejta e qytetarëve për të vendosur për pushtetin.

Çfarë ndodhi me Alternativën?

Nuk është hera e parë që Alternativa shpëton qeverinë. Alternativa gjeti një alibi të pakuptimtë që të futet në qeveri. Sot dalin me arsyetime të kota se e kanë ditur që nuk do të marrim datë në Dhjetor. Është hera e dytë që futen në qeveri për të marrë pjesën e pushtetit dhe jo për të marrë përgjegjësitë. Kemi një situatë delikate sa i përket situatës ndërpartiake. Kemi një proces të ristrukturimit të partisë më të madhe në pushtet dhe ende nuk e kemi të qartë se çfarë qëndrimi do ketë kryeministri i ri. Mendoj që kryeministri i ri do të jetë ndryshe dhe do ta ketë të pamundur të implementojë marrëveshjen me Alternativën.

Ka disa rrethana të reja në situatën e Maqedonisë dhe qeveria nuk reflekton me formatin e popullsisë. Dalin më shumë ministra shqiptarë dhe maqedonas. Marrëveshja ishte që ne të kemi dy dikaster qeverisëse. Ne ishim ata që i mundësuam Zaev të jetë kryeministër dhe të marrë mandatin. Lëvizja Besa nuk mori dy ministri sepse bëheshin më shumë shqiptarë se maqedonas. Nuk e dimë pse Zaev nuk e arsyetoi një gjë të tillë. Marrëveshja duhet të konfirmohet edhe brenda LSDM.

A do të mbijetojë qeveria Kovaçevski?

Fraksionet brenda LSDM do jenë shumë të rëndësishme sepse Zaev bëri dy marrëveshje të rëndësishme me Greqinë dhe Bullgarinë. Kryeministri i ri që nuk do i ketë këto dy armë të rëndësishme do ta ketë të vështirë të manaxhojë. Nuk kemi në horizont një shpresë që kjo mund të ndodhë. Pala maqedonase besoj që tashmë kryeministri i ri do ta ketë të vështirë të arsyetojë veprimin e tij. Vlerësoj që do jetë një periudhë e vështirë dhe dyshoj se kryeministri do arrijë të bëjë një shumicë të qëndrueshme.

A do të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme?

Shumë shpejt do te kemi marrëveshje për zgjedhje të parakohshme që mund të jenë në pranverë ose në vjeshtë të vitit 2022. Shumica janë për zgjedhje të parakohshme sepse brenda koalicionit kemi dy parti që në zgjedhjet lokale dolën me rezultat të favorshëm. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat