Osmani: Integrimi i Ballkanit Perëndimor është investim gjeostrategjik në sigurinë evropiane

Maqedonia

Osmani: Integrimi i Ballkanit Perëndimor është investim gjeostrategjik në sigurinë evropiane

Më: 9 prill 2022 Në ora: 13:24
Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani me ftesë të Forumit Ekonomik Delphi, mori pjesë në panelin “Evropa pas Ukrainës”, së bashku me kolegët e tij nga Greqia, Sllovenia dhe Kosova – Nikos Dendias, Ivan Korçok dhe Donika Gërvalla Schwarz.

Siç njoftojnë nga MPJ, në panel u diskutua për sfidat aktuale të sigurisë me të cilat ballafaqohet kontinenti evropian, për mënyrën e menaxhimit të krizës, si dhe ndikimin e saj në proceset e përgjithshme dhe situatën në vendet evropiane dhe më gjerë.

Në fillim të fjalimit të tij, ministri Osmani i përcolli përshtypjet e tij nga vizita e djeshme në kufirin ukraino-polak, ku me homologët e tij nga të tre vendet kryesuese me OSBE-në, kishin takim të përbashkët me shefin e diplomacisë së Ukrainës, Kuleba dhe e vizituan Kampin e refugjatëve në Korçova.

“Atë që e pash dje është mjaftë shqetësuese. Pamjet e djeshme janë pasqyrim i diçkaje që është thellësisht jo-morale, në kundërshtim me vlerat univerzale të njeriut. Me vendoshmëri duhet ta kundërshojmë atë që po ndodh si dhe t’i ndalim vuajtjet e njerëzve”, theksoi Osmani.

Ai përcolli qëndrimet e Maqedonisë së Veriut për luftën në Ukrainë, duke e dënuar ashpër agresionin e Federatës Ruse, si shkelje flagrante të së Drejtës Ndërkombëtare dhe duke iu bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Ai iu referua shtyerjes së fillimit formal të negociatave me BE-në, duke theksuar se kjo paraqet “burim të ndjeshmërisë sistematike dhe kërcënim të mundshëm për sigurinë dhe stabilitetin, efektet e së cilës shpërndahen në gjithë rajonin dhe të cilat aktorët keqëdashës lehtë dhe me shkathtësi e shfrytëzojnë”, theksoi Osmani.

“Duhet pak për ta hedhur topin në drejtimin e duhur dhe të arrihet fitore e përbashkët për të gjithë aktorët që janë pjesë e procesit, Maqedoni e Veriut, Bullgari, rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe BE në tërësi. Integrimi i Balllanit Perëndimor është investim gjeostrategjik në sigurinë evropiane”, tha Osmani.

Duke pasur parasysh implikimet gjeopolitike të luftës në Ukrainë, Osmani theksoi se këto janë kohëra historike që kërkojnë vendime të guximshme dhe në kohë dhe apeloi deri te BE që menjëherë t’i fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjatë Presidencës franceze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat