Ali Ahmeti përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi për targat: Të vazhdojnë negociatat

Maqedonia

Ali Ahmeti përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi për targat: Të vazhdojnë negociatat

Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 12:29
Ali Ahmeti

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, e ka përshëndetur marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave të automjeteve. Ahmeti thotë se me këtë marrëveshje është bërë hapi i nevojshëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve.

Ahmeti gjithashtu bën thirrje që të vazhdojë procesi i negociatat mbi propozimin franko – gjerman.

“Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian arritën marrëveshje mbi çështjen e targave duke bërë kështu hapin e nevojshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Përgëzoj të dyja palët për guximin, duke uruar që mbi këtë rrugë progresive të mirëkuptimit të vazhdojnë procesin e negocimit mbi propozimin franko – gjerman deri në finalizimin e procesit pa alternativë tjetër, atë të njohjes së ndërsjelltë”.

“Është koha që t’u jepet fund kontesteve, të ndërtohet e ardhmja e sigurt dhe përparimtare drejt një horizonti, atë të integrimit në Bashkimin Europian!”, ka shkruar Ahmeti.

Ndryshe, mbrëmë përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat