Maqedonia të fillojë seriozisht me investime në burime të rinovueshme të energjisë, ja kush e thotë

Maqedonia

Maqedonia të fillojë seriozisht me investime në burime të rinovueshme të energjisë, ja kush e thotë

Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 18:51
Foto ilustrim

Vendi nuk po e përballon siç duhet krizën energjetike dhe kthimi i qymyrit dhe mazutit për prodhim energjie do të lërë pasoja të mëdha për mjedisin jetësor dhe shëndetin e njerëzve.

Organizata qytetare “Eko Svest” sot bëri apel që vendi të fillojë seriozisht me investime në burime të rinovueshme të energjisë, me çka do t’i respektojë detyrimet ndërkombëtare që ka marrë, si dhe dokumentet strategjike që i ka miratuar ai vetë.

Tre kapacitetet energjetike që operojnë me lëndë djegëse fosile, REK Manastir, TEC Osllomej dhe TEC Negotinë krijojnë 95 përqind të emetimeve të dioksidit të squfurit. Asnjë prej tyre nuk ka leje ekologjike dhe as nuk zbaton standarde që do të mundësonin mbrojtje të shëndetit të njeriut. Rezultat i kësaj janë mijëra vdekje si pasojë e drejtpërdrejtë e ndotjes së ajrit, si dhe një numër i madh pacientësh me sëmundje respiratore, shpenzimet për trajtimin e të cilëve janë shumë më të larta se ato që do të shpenzoheshin për investime në filtrat për këto objekte.

Sipas Davor Pehçevskit nga “Eko Svest”, këto dy vitet e fundit përgjigja e vetme e vendit ndaj krizës energjetike ka qenë importi i qymyrit, riaktivizimi i termocentralit me mazut që ka shumë vite që nuk funksionon, si dhe njoftimi se ngrohtoret në Shkup mund të punojnë edhe me naftë.

“Ajo që mund ta bëjmë këtë dimër është që të sigurohemi që të paktën ngrohtoret në Shkup të punojnë me gaz. Por ka shumë gjëra që duhet të fillojmë t’i planifikojmë tani e që janë për dimrin e ardhshëm. Sigurisht që ato nuk janë importi i qymyrit dhe mazutit, që bëhet në mënyrë jotransparente dhe për të cilët nuk dimë se të çfarë cilësie janë. Për to janë shpenzuar shuma të mëdha, të cilat mund të përdoren si përgjigje e shtetit ndaj krizës energjetike, por në një drejtim krejtësisht tjetër, përmes investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë”, thotë Pehçevski.

Reklama

Në vend ka tetë lokacione me tokë të degraduar ku mund të ndërtohen termocentrale fotovoltaike që do të kishin kapacitet prej 500 deri në 550 megavat, që është ekuivalent me dy blloqet e REK Manastir. Në njërin nga lokacionet, në Osllomej, tashmë është ndërtuar një kapacitet prej 10 megavatësh, por duhet të ndërtohen edhe 110 megavat. Toka të degraduar ka edhe në REK Manastir, por edhe pranë disa minierave në Probishtip, Llojanë, Demir Hisar dhe lokacione të tjera.

Nga “Eko Svest” theksojnë se shteti dhe bankat duhet tu ndihmojnë edhe qytetarëve me subvencione dhe kredi të volitshme që të investojnë në fotovoltaikë. Duhet të punohet edhe për definimin e prodhuesit-konsumator, si dhe çmimin me të cilin qytetarët do të paguhen për energjinë elektrike të prodhuar.

“Strategjia për energjinë është miratuar, por asgjë nga ajo që është miratuar ende nuk është zbatuar. Vendi duhet të fokusohet edhe në detyrimet e tij ndaj direktivave evropiane për cilësinë e ajrit dhe emetimet industriale, sepse ky është drejtimi i duhur për t’iu përgjigjur krizës energjetike. Është e qartë se këtë dimër dëmi është bërë, por mund të fillojmë të planifikojmë në mënyrën e duhur për dimrin e ardhshëm”, thotë Pehçevski.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat