Mickoski: Kjo përbërje nuk ka mandat për ta ndryshuar Kushtetutën, OBRM-PDUKM ofron plan në tri shtylla

Maqedonia

Mickoski: Kjo përbërje nuk ka mandat për ta ndryshuar Kushtetutën, OBRM-PDUKM ofron plan në tri shtylla

Më: 24 mars 2023 Në ora: 14:50
Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski

Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski sot deklaroi se qëndrimi i tij për ndryshimet kushtetuese është i qartë dhe i pandryshueshëm. Thotë se përbërja aktuale e Kuvendit nuk ka mandat për ta ndryshuar Kushtetutën, pavarësisht presioneve.

“Presionet do të vazhdojnë dhe nuk do të ndalen. Nëse mendoni se do të heqin dorë, nuk do ta bëjnë. Sepse po kërkojnë nga Qeveria që të bëjë presion mbi ta. Nuk e kam problem t’i duroj. Ata janë të ashpër, por ajo që ndryshon nga Prespa është se OBRM-PDUKM është e konsoliduar, e bashkuar dhe nuk ka hallkë të dobët brenda. Tani nuk ka qendra të tjera të ndikimit, tani VMRO-DPMNE në tërësi është qendër e ndikimit. OBRM-PDUKM është unike, personazhet politikë në VMRO-DPMNE janë unike jo sepse ne bëjmë inate, por sepse duam që ky popull të marrë diçka. Mesazhi im është se unë personalisht nuk do të lëkundem asnjë milimetër dhe do t’i përballoj të gjitha presionet nga kudo që të vijnë”, deklaroi Mickoski në kuadër të vizitës së sotme në Komunën e Ilindenit.

Potencoi se OBRM-PDUKM ka plan të vetin prej tri pjesësh dhe përmban elemente nacionale, politike si edhe plan ekonomik për t’i ndihmuar qytetarët.

“Jemi të gatshëm këtë plan menjëherë pasi të përfundojnë zgjedhjet ta lëmë në dispozicion të diplomatëve të BE-së, të bisedojmë për këtë plan dhe ai është plani i vetëm për tejkalimin e situatës aktuale gjegjësisht qorrsokakut në të cilin na solli Qeveria e BDI-së e mbështetur nga LSDM-ja”, potencoi Mickoski.

Sipas tij, ky Kuvend nuk ka mandat për ta ndryshuar Kushtetutën, por duhet sa më parë të vetshpërndahet, të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe çdo parti politike dhe koalicion të dalë me plan të qartë dhe vizion për tejkalimin e problemit.

I pyetur për vërejtjen e kryeministrit Dimitar Kovaçevski se lideri aktual i OBRM-PDUKM-së dhe paraardhësit të tij Nikolla Gruevski patën qëndrime të ndryshme për ndryshimet kushtetuese, Mickoski tha se qëndrimi i tij është i njohur mirë, ndërsa për qëndrimin e Gruevskit tha që sqarim të kërkohet nga Kovaçevski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat