Fushe: Ndryshimet kushtetuese janë çështje teknike në RMV, meqë në Kushtetutë tashmë ekziston statusi i pakicave

Maqedonia

Fushe: Ndryshimet kushtetuese janë çështje teknike në RMV, meqë në Kushtetutë tashmë ekziston statusi i pakicave

Më: 2 prill 2023 Në ora: 11:16
Mishell Fushe

Maqedonia e Veriut humbi 15 vjet në anëtarësimin në NATO, jo për faj personal, por për shkak të fqinjit të saj jugor. Kjo është gjeopolitika e emrit dhe rreziku është të humbim kohë me edhe një fqinj tjetër, Bullgarinë. Shpresoj që në këtë vend të gjendet mjaft urtësi, pragmatizëm dhe largpamësi për të marrë vendime që përkojnë me interesin kombëtar. Nga njëra anë, është në interesin tuaj të konsolidoni atë model tipik maqedonas, qytetar të një shoqërie multietnike dhe t’i shtoni atij një dimension tjetër të përkatësisë, përkatësisë në BE, në identitetin evropian.

Këtë e thotë në intervistën Mishell Fushe, gjeograf dhe diplomat francez, i cili këtyre ditëve ka vizituar vendin me ftesë të Institutit francez me rastin e promovimit të librit të tij të ri. I pyetur për koment në lidhje me mbështetjen për anëtarësimin në BE, e cila ka rënë në mënyrë drastike në vend, veçanërisht pas propozimit francez dhe miratimit të kornizës së negociatave që kërkon lëshime të reja nga shteti, e këto janë ndryshimet kushtetuese, Fushe vlerëson se është çështje teknike.

“Në Kushtetutën tuaj tashmë ka garanci për rreth gjysmë duzine minoritetesh që gjenden këtu. Mungojnë dy-tre – malazezët, bullgarët, kroatët. Bullgarë janë 3500 persona. Këtu nuk po flas për pasaportat. Sinqerisht, nuk shoh ndonjë rrezik apo kërcënim në këtë. Mendimi im për amendamentet, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, megjithëse nuk do të doja të ndërhyja në punët tuaja të brendshme, është se bëhet fjalë për problem teknik. Mund të bëjmë prej tij problem të madh politik për arsye politike. Është problem teknik meqë në Kushtetutë ekziston tashmë ai status të pakicave. Pasi këto ndryshime të hyjnë në Kushtetutë, ju kaloni automatikisht në fazën e dytë të bisedimeve. Pra, kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt dhe unë e quaj këtë interes kombëtar. Unë nuk jam maqedonas, kjo është vetëm këshillë miqësore, nënvizon Fushe, i cili është profesor i gjeopolitikës së aplikuar.

Në raport me faktin se që nga viti 2013, kur Kroacia u bë anëtare, nuk ka pasur përparim në drejtim të zgjerimit, gjeopolitikani francez është decid se progresi nuk varet nga Brukseli, por rezulton nga stagnimi i reformave të vendeve kandidate.

Sa i përket metodologjisë së re, konsideron se është e favorshme për vendet kandidate, sepse progresi i tyre mund të matet etapë pas etape, por shprehet, edhe në BE po ashtu ka nevojë për reforma të brendshme, e ky ishte qëndrimi i Francës në vitin 2019.

“Këtu bën pjesë veçanërisht çështja e vendimmarrjes unanime për çështjet fiskale, rreth çështjeve nga fusha e politikës së jashtme dhe mbrojtjes. Për disa vende evropiane, kjo është prioritet. Nëse do të hiqnim të drejtën e vendimmarrjes unanime në raport me politikën e jashtme, nuk do të kishte veto bullgare. Pra, kemi nevojë të reformojmë sistemin e vendimmarrjes që aktualisht është në fuqi në BE. Kemi nevojë të shkojmë shumë më shpejt në zgjerimin, mirëpo në vendet kandidate duhet të ketë reforma të mirëfillta. Reforma thelbësore ka të bëjë me shtetin e së drejtës. Pavarësinë e gjyqësorit”, shprehet Fushe.

Dr. Mishell Fushe është specialist në domenin e gjeopolitikës, e veçanërisht në termin “kufij”. Në rreth 60 publikime, ai i sqaron çështjet gjeopolitike globale, duke zbatuar metodë inovative që ndërthur nivele të ndryshme analitike dhe periudha kohore. Ai ishte ambasador i Francës në Letoni (2002-2006), Këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës (1997-2002), Shef i Shtabit për Planifikimin e Politikave (1999-2002) dhe i Dërguar Special për Ballkanin dhe Kaukazin (1999). , dhe në 2007 vit dhe ambasador për çështjet evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat