Petrovska: Diplomatët e dëbuar rusë u përpoqën të ndërhynin në interesat kombëtare dhe strategjike të Maqedonisë

Maqedonia

Petrovska: Diplomatët e dëbuar rusë u përpoqën të ndërhynin në interesat kombëtare dhe strategjike të Maqedonisë

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 20:38
Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska theksoi se tre diplomatët rusë të cilët së fundmi u dëbuan nga Maqedonia e Veriut janë persona të cilët kanë punuar në kundërshtim me rregullat diplomatike dhe kanë tentuar, pra kanë dashur të përzihen në interesat kombëtare strategjike të vendit tonë.

Petrovska pas takimit me ministrin slloven të mbrojtjes, Marjan Sharec, tha se qëllimi strategjik i vendit, përveç NATO-s, është anëtarësimi në BE dhe se kushdo që përpiqet ta pengojë këtë rrugë, nuk mund të jetë mik i shtetit.

“Sa i përket dëbimit të fundit, tani për tani bëhet fjalë për persona që kanë punuar kundër rregullave diplomatike, por është e dukshme që sipas rregullave sipas fjalorit të shërbimeve të sigurimit-zbulimit, janë përpjekur ose kanë dashur të ndërhyjnë pak më shumë në interesat strategjike kombëtare të vendit tonë. Rruga jonë, rruga e shtetit, jo vetëm e kësaj Qeverie, por e shtetit në tërësi është shumë e qartë dhe ne e kemi deklaruar shumë herë deri më tani se qëllimi ynë strategjik është anëtarësimi në NATO dhe BE dhe kushdo që përpiqet ta pengojë atë rrugë, nuk mund ta konsiderojmë si mik, sidomos jo nëse dëshiron ta bëjë duke ndërhyrë në punën e institucioneve apo të ndonjë subjekti tjetër në vendin tonë”, tha ministrja.

Ajo shtoi se Armata dhe Ministria e Mbrojtjes janë të sigurta dhe kanë zhvilluar sistem të mbrojtjes nga ndikime të tilla ose të ngjashme.

“Armata dhe Ministria e Mbrojtjes janë të sigurta dhe kanë zhvilluar sistem të mbrojtjes nga çdo ndikim duke përfshirë edhe ato keqdashëse, janë të gjitha ato ndikime që ne i konsiderojmë se janë në kundërshtim me interesat tona strategjike dhe kombëtare prandaj dua ta përshëndes edhe punën jo vetëm të inteligjencës ushtarake, por edhe të shërbimeve tjera të sigurisë-zbulimit, të cilat pa dyshim e kryejnë punën e tyre mirë, kërcënim të llojit të tillë direkt ndaj pjesëtarëve të Ministrisë ose Armatës nuk kemi konstatuar”, theksoi Petrovska.

Paraprakisht, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi se nga vendi janë dëbuar tre diplomatë rusë.

“Më 12 shtator, në Ministrinë e Punëve të Jashtme ishte thirrur ambasadori i Federatës Ruse dhe i është dorëzuar nota diplomatike, me të cilën tre diplomatë në Ambasadën e Federatës Ruse në Shkup ishin shpallur si të padëshiruar në shtet (persona non grata)”, theksohet në kumtesën e Ministrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat