Kryetari i LD-së, Izet Mexhiti, në një intervistë për Telegraf Maqedoni ka paralajmëruar fillimin e procedurave për krijimin e një subjekti të ri politik të përbashkët nga koalicioni VLEN. Sipas tij, ky subjekt do të ketë një strukturë të konsoliduar, me shtab, qendër informative, kandidatë, program dhe lista këshilltarësh të përbashkëta.
“Është e vërtetë se jo me gjithë aktorët, por VLEN-i do bëhet. Prej javës së ardhshme fillon procedura për themelimin e një subjekti politik të VLEN-it i cili do të ketë një shtab të përbashkët, një qendër informative, kandidatët e përbashkët, programin e përbashkët, listat e këshilltarëve të përbashkëta”, tha Mexhiti.
Tani për tani shkrirja e VLEN mund të behet nga partitë: BESA, LD, Alternativa, ndërsa ASH e Taravarit mbetet jashtë.
Kreu i ASH-së Arben Taravari, përmes Facebookut ka shkruar se një nga thirrjet më qesharake është apeli për ndryshim nga dikush që vet përdor metoda të një mentaliteti politik të vjetër.
“Ndryshimi fillon nga vetja por për dikë kërkon më shumë kohë e për dikë më pak…fatkeqësisht ka disa që nuk ndryshojnë dot asnjëherë! Aleanca ka një motiv që e mban gjithnjë në lëvizje dhe ai është Kushtrimi i Njerëzve! Lum kush e dëgjon sepse e ka të lehtë rrugën drejt Fitores! Dhe fitorja më e madhe janë Njerëzit dhe jona sapo ka filluar”, deklaroi Taravari.
Ndonëse Taravari ende është pjesë e Qeverisë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, për shkëputjen e ASH nga VLEN, tha se ata e kanë kuptuar që VLEN janë vetëm argatë të VMRO-së.
Por për këtë reagoi Arben Fetai nga ASh duke iu drejtuar Ahmetit: “Unë s’jam argat i askujt. Këtë epitet mbaje për vete” – ka theksuar Fetai.
Ndryshe, për shkrirjen e VLEN-it, ende nuk është definuar pozita e kryetarit, por siç tha Mexhiti kjo nuk paraqet problem, pasi qëllimi kryesor, sipas tij është unifikimi dhe organizimi më i mirë para zgjedhjeve lokale.