Kasami: Çdokush që bashkëpunon me Ali Ahmetin nuk mund të jetë pjesë e Qeverisë, pres të rritet numri i deputetëve të shumicës qeverisëse

Maqedonia

Kasami: Çdokush që bashkëpunon me Ali Ahmetin nuk mund të jetë pjesë e Qeverisë, pres të rritet numri i deputetëve të shumicës qeverisëse

Më: 22 prill 2025 Në ora: 11:49
Bilall Kasami

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka folur në lidhje me zhvillimet në VLEN, si dhe të ardhmen e Qeverisë, pas vendimit të ASH-së së Arben Taravarit, që të largohet nga koalicioni VLEN. Kasami tha se pavarësisht numrit të deputetëve, VLEN e ka të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve, duke iu referuar votave në zgjedhjet e fundit kuvendare.

Ai theksoi se ditët në vijim do të merret vendim brenda koalicionit qeveritar, duke shtuar se pret të rritet numri i deputetëve që do të jenë pjesë e shumicës qeverisëse.

“Legjitimitetin e kemi marrë me 107 mijë vota në zgjedhjet e fundit si koalicion i partive shqiptare. Vlerësojmë se të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve e ka VLEN. Çdo subjekt që largohet nga VLEN nuk e ka përkrahjen e votave, pavarësisht numrit të votave VLEN do të vazhdojë të ketë legjitimitetin. Por, pres që ditët në vijim kur të marrim vendimin formal për hapat e mëtutjeshëm të Qeverisë, numri i deputetëve të rritet e jo të zvogëlohet”, tha Kasami.

“Është e panatyrshme që një subjekt politik që është në qeveri, dhe bashkëpunon me opozitën. Ne si VLEN sollëm vendimin që është i njohur në opinion, tani në koordinim me partnerët tjetër të Qeverisë do të do të sjellim vendimin e fatit të Qeverisë dhe koalicionit qeveritar. Secili që bashkëpunon me BDI-në dhe Ali Ahmetin të cilin e kemi akuzuar dhe vazhdojmë ta akuzojmë për korrupsion dhe krim për 20 vite, nuk mund të jetë pjesë e Qeverisë. Por sërish them, është vendim formal që duhet ta sjellim si partnerë të koalicionit qeveritar”, tha mes tjerash Kasami.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat