Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, kërkoi sot nga Maqedonia e Veriut që të përmbushë detyrimet e saj për ndryshimet kushtetuese, nëse dëshiron të nisë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Gjatë një vizite në Shkup, ai theksoi se nuk ka më vend për negociata të reja dhe se marrëveshja e arritur në vitin 2022 duhet të zbatohet plotësisht.
“Është e qartë se ajo për të cilën është rënë dakord në vitin 2022 është tashmë e qartë dhe nuk ka më asgjë për të negociuar. Nuk ka vend për kërkesa të mëtejshme. Ne e dimë cilat janë Kriteret e Kopenhagës, e dimë cilat reforma duhen përfunduar dhe tani është koha për zbatim”, deklaroi Costa.
Procesi i integrimit evropian i Maqedonisë së Veriut është në ngërç, kryesisht për shkak të mungesës së zbatimit të propozimit evropian të miratuar në verën e vitit 2022. Ky propozim parashikon përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e vendit – një kusht kyç për hapjen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit.
Kryeministri Hristijan Mickoski në takimin me Costa përsëriti refuzimin e tij për ndryshimin e Kushtetutës.
“Nuk mund ta pranojmë këtë pa parë vullnet të mirë nga pala tjetër, ajo bullgare. Nuk mund ta ndryshojmë Kushtetutën tonë sërish, pa një mesazh të qartë dhe një reagim konkret nga pala tjetër”, u shpreh Mickoski.
Pavarësisht sfidave, Costa përshëndeti angazhimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për reformat dhe vlerësoi progresin e arritur.
“E inkurajoj kryeministrin të bëjë çdo përpjekje për të çuar përpara këtë proces. BE-ja është në dispozicion për t’ju mbështetur. Është thelbësore që reformat të vazhdojnë. Dua gjithashtu të shpreh vlerësimin për përafrimin tuaj me politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë”, tha ai.
Vizita në Shkup është pjesë e një turneu të Antonio Costa në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën. Antonio Costa nesër merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.