Në kuadër të apelit të Kryqit të Kuq të RMV-së për mbështetje të të prekurve nga zjarri katastrofik në Koçan, në periudhën nga 16.03.2025 deri më 16.06.2025, janë mbledhur gjithsej 153.931.166 denarë. Kryqi i Kuq i RMV-së ka kryer pagesa për të prekurit nga zjarri në Koçani në disa raste.
Siç binë të ditur nga Kryqi i Kuq, me transferin e fundit të sotëm, janë paguar mjete për 156 persona, ndërsa në ditët në vazhdim do të kryhet transfer i mjeteve edhe për 11 persona.
“Me transferin e fundit të sotëm më 17.06.2025, janë paguar mjete për 156 persona, të ndarë në 5 kategori, bazuar në vlerësimin e shkallës së lëndimeve dhe prognozën për trajtimin e tyre të mëtejshëm, bërë nga grupi i punës i Ministrisë së Shëndetësisë, në një shumë totale prej 39.750.000,00 denarë. Në ditët në vijim do të realizohet edhe transferi i mjeteve për 11 persona të tjerë për të cilët duhet të sigurohen dokumentet e nevojshme, përkatësisht deklaratat dhe pëlqimi për përdorimin e të dhënave personale, pasi që këta persona nuk janë përfshirë në pagesat e deritanishme. Shuma totale e deritanishme e mjeteve të transferuara për të prekurit, deri më 17.06.2025, arrin në 147.199.101,00 denarë”, qëndron në kumtesën e Kryqit të Kuq.
Nga aty paralajmërojnë hapjen e Qendrës Rajonale për Shëndet Mendor dhe Mbështetje Psiko-Sociale në qytetin e Koçanit, e cila me aktivitetet e saj do të mbulojë nevojat e popullatës në pjesën lindore të vendit.