Më datë 02.08.2025, rreth orës 20:30, zyrtarët policorë nga Sektori për Punë të Brendshme në Strugë kanë ndaluar dy persona, F.N. (61) nga Struga dhe E.V. (38) nga Prilepi, të cilët janë kapur në flagrancë në deponinë e qytetit duke kryer veprime të kundërligjshme.
Sipas informacioneve zyrtare, të dyshuarit janë identifikuar dhe ndaluar fillimisht nga punonjësit e Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve – Strugë, teksa digjnin dyshekë dhe shkrinin tela bakri, duke shkaktuar zjarr të rrezikshëm për mjedisin dhe shëndetin publik.
Pas ndërhyrjes së shpejtë të autoriteteve kompetente dhe dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personave të përfshirë do të ngriten kallëzimet përkatëse penale.
Policia dhe zjarrfikësit apeluan edhe një herë për qytetarët që të shmangin veprimet e tilla të rrezikshme dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë që cenon sigurinë publike dhe ambientin jetësor.