​Kongresi i BDI-së, Ahmeti: Kemi përgjegjësi të ndërtojmë të ardhmen tonë evropiane

Maqedonia

​Kongresi i BDI-së, Ahmeti: Kemi përgjegjësi të ndërtojmë të ardhmen tonë evropiane

Më: 20 dhjetor 2025 Në ora: 15:40
Ali Ahmeti

Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbajtur sot Kongresin e pestë, një ngjarje me rëndësi e veçantë politike, organizative dhe historike për këtë parti.

Në punimet, në të cilat morën pjesë 737 delegatë, u tha se kongresi reflekton një moment vlerësimi për punën shumëvjeçare të BDI-së në skenën politike si faktor shtet-formues pavarësisht.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se sot BDI është një forcë që mbron karakterin unitar të shtetit, jo përmes imponimit, por përmes besimit, përfaqësimit dhe barazisë funksionale.

Ahmeti: Ohri nuk ishte kompromis i zakonshëm

“Sot jemi mbledhur në një moment të rëndësishëm jo vetëm për Bashkimin Demokratik për Integrim, por për vetë rrugëtimin shtetëror të Maqedonisë së Veriut. Ky Kongres nuk është vetëm një stërvitje organizative brenda partiake, por është një ndalesë reflektimi dhe një pikë nisjeje për fazën e ardhshme të vendit tonë. BDI nuk lindi si parti e zakonshme. Ne lindëm nga nevoja për paqen, nga kërkesa për barazi, dhe nga bindja e thellë se ky vend mund të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse është i drejtë dhe me mundësi të barabarta. Nga një periudhë tejet e ngarkuar për vendin, ne e ndërtuam paqen përmes Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. Por dua ta them qartë: Ohri nuk ishte kompromis i zakonshëm, por ishte dhe vazhdon të jetë vizion dhe përgjegjësi e përbashkët për të ndërtuar të ardhmen euro-atlantike të vendit me barazi të plotë dhe demokraci funksionale”, tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së potencoi se sot më shumë se kurrë nevojitet një pjekuri politike dhe se shteti unitar forcohet vetëm atëherë kur të gjithë qytetarët ndihen të përfaqësuar realisht dhe të përfshirë në vendim-marrje.

Ai ka propozuar tri masa kyçe që garantojnë përfaqësim të drejtë, barazi funksionale dhe kohezion shoqëror, në frymën e Marrëveshjes Paqësore së Ohrit.

Ahmeti: Përbërja e re e qeverisë të merr besimin edhe me shumicën e deputetëve nga komunitetet jo-shumicë

“Propozojmë që çdo përbërje e re e Qeverisë të marrë besimin e Kuvendit jo vetëm me shumicën e deputetëve, por edhe me shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë. Kjo do të sigurojë që qeveria të gëzojë legjitimitet të dyfishtë dhe të jetë realisht përfaqësuese për të gjitha etnitë... Ligjet që miratohen me shumicë të dyfishtë në Kuvend, nuk duhet të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese pa shumicë të dyfishtë edhe në radhët e gjykatësve...”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se vendi pas hyrjes në NATO synon aderimin në BE dhe në këtë drejtim ai u zotua se BDI-ja do të punojë me përkushtim.

Ahmeti: E ardhmja nuk pret, BDI do të vazhdojë të jetë forca e unitetit

“E ardhmja nuk ndërtohet me zhurmë, por me vizion. Jo me ndasi, por me barazi. Jo me eksperimente, por me përgjegjësi shtetërore. BDI do të vazhdojë të jetë forca e unitetit, stabilitetit dhe integrimit evropian. E ardhmja nuk pret. Ne kemi përgjegjësinë ta ndërtojmë bashkë. Bashkë, me urti, unitet dhe vendosmëri, do ta ndërtojmë ardhmërinë tonë përparimtare evropiane”, ka thënë Ahmeti.

BDI ka vazhduar punimet e Kongresit në orët e pasdites me dyer të mbyllura. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat