Nga 57 në 900 denarë më shumë shtrenjtohet rryma në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Nga 57 në 900 denarë më shumë shtrenjtohet rryma në Maqedoninë e Veriut

Më: 23 dhjetor 2025 Në ora: 17:28
Foto ilustrim

Faturat mujore të energjisë elektrike për amvisëritë do të rriten nga 57 deri në rreth 900 denarë, duke filluar nga 1 janari, pas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE) për shtrenjtimin e çmimit të rrymës.

Sipas KRRE-së, rreth 517.000 amvisëri, ose 64 për qind e konsumatorëve, që shpenzojnë energji vetëm në bllokun e parë, do të paguajnë mesatarisht 57 denarë më shumë në muaj. Për rreth 170.000 amvisëri që hyjnë edhe në bllokun e dytë, rritja mujore do të jetë rreth 70 denarë, ndërsa për 14.000 familje që shpenzojnë edhe në bllokun e tretë, fatura rritet për rreth 370 denarë. Amvisëritë me konsum edhe në bllokun e katërt do të përballen me një rritje prej rreth 900 denarësh në muaj.

Rritja e çmimeve sipas blloqeve varion nga 2,45 deri në 3,84 për qind, ndërsa tarifa e lirë shtrenjtohet për 2,50 për qind. Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski, deklaroi se rritja është dukshëm më e ulët se kërkesa fillestare e EVN Home, e cila parashikonte shtrenjtim nga 7,6 deri në gati 12 për qind.

Ai shtoi se kompensimi prej 200 denarësh do të mbetet pjesë e faturave, pasi heqja e tij do të sillte rritje edhe më të larta për konsumatorët.

Sipas KRRE-së, vendimi synon të mbrojë qytetarët nga një shok çmimesh, duke ruajtur balancën mes interesave të kompanive energjetike dhe konsumatorëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat