Borë të mjaftueshme, ski-ashensorët janë gati dhe pistat e skijimit janë të shtypura për të filluar sezoni, por era e fortë ka bërë që ski-qendra Kodra e Diellit të mos fillojë me punë gjatë ditës së sotme, por të shtyhet ose për ditën e nesërme ose për të hënën.
Nga qendra e skijimit thonë se ata janë gati për sezonin, por pengesa e vetme është era e fortë që është këto ditë dhe e pamundëson fillimin e sezonit të skijimit, pasi që sipas tyre në radhë të parë është siguria e skiatorëve.
Ndërsa ata që japin ski me qira thonë se bora ka sjellë shumë turistë, edhe pse s’ka filluar zyrtarisht sezoni i skijimit.
“Borë ka sa të duash dhe turistë kanë ardhur plot. Sot kanë ardhur shumë njerëz, po plot ka sa të duash. Nëse mban ftohtë ka borë plot sa të duash, vetëm mos të ngrohet koha dhe turistë kemi pasur plot.”
Ndërsa hotelet thonë se për këtë vit çmimet e fjetjes nuk kanë ndryshuar. Rritje të ulët të çmimeve ka vetëm te pijet, edhe atë shkaku i furnizimit.
“Sa i përket fjetjeve, çmimet janë si vitin e kaluar. Kemi pak rritje te pijet, pasi që edhe çmimet kanë ndryshuar shumë, furnizimi ka ndryshuar shumë, por jo në ndonjë masë të madhe, vetëm pak”, tha Hashim Asani – pronar hoteli.
Çmimet e ski-biletave vazhdojnë të mbeten të njëjta. Këtë vit, 100 denarë më tepër do të merren gjatë marrjes së kartës së skijimit, mjete që pas përfundimit të skijimit do të kthehen përsëri. Një biletë skijimi nga e hëna deri të premten kushton 1100 denarë, ndërsa gjatë fundjavës kushton 1400 denarë.