Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi, theksoi se 8 Marsi nuk duhet të shihet vetëm si një festë simbolike, por si një ditë reflektimi dhe ndërgjegjësimi shoqëror për respektimin dhe zbatimin e të drejtave që u takojnë grave.
“8 Marsi nuk është vetëm festë, por duhet të jetë ditë reflektimi dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë mbi respektimin dhe zbatimin e të drejtave që natyrshëm u takojnë grave. Kjo ditë duhet të rrisë vetëdijen e të gjithë faktorëve të shoqërisë që të rritet niveli i përfaqësimit në të gjitha sferat e pushtetit dhe menaxhimit institucional,” deklaroi Azizi.
Mes tjerash, Azizi shtoi se rruga drejt një shoqërie të drejtë dhe demokratike kalon përmes barazisë reale gjinore.
Sipas saj, barazia gjinore nuk duhet të mbetet vetëm një slogan, por duhet të shndërrohet në një realitet të prekshëm në jetën institucionale dhe shoqërore.