Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke akuzuar partinë opozitare për mungesë veprimi gjatë kohës sa drejtonte Ministrinë e Drejtësisë.
Në reagimin e saj, VLEN thekson se “turpi nuk mbulohet me zhurmë” dhe se problemet e studentëve nuk zgjidhen me akuza apo retorikë politike, por me punë konkrete.
Sipas VLEN-it, Ministria e Drejtësisë për vite me radhë ka qenë nën drejtimin e kuadrove të BDI-së. Pas ministrit Blerim Bexheti, detyrën e mori Adnan Jashari, i cili sipas tyre kishte mandat, kompetenca dhe mundësi të plota për ta zgjidhur çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por nuk e bëri këtë.
“Ky ka qenë zanati i BDI-së. Shqiptarëve pritje, të vetëve përparësi. Për studentët ‘do ta shohim’, por kur ishte puna për rrethin e tyre, sistemi ndizte motorët menjëherë”, thuhet në reagim.
VLEN rikujton gjithashtu rastin e djalit të ish-kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, duke pretenduar se gjatë kohës kur Adnan Jashari ishte ministër, ai ishte pajisur me provimin e jurisprudencës edhe pse ende nuk kishte diplomuar.
Sipas koalicionit, ky rast dëshmon se sistemi funksiononte për individë të afërt me pushtetin, ndërsa kërkesat e studentëve shqiptarë mbeteshin pa zgjidhje.
VLEN kërkon që Adnan Jashari të japë përgjigje se përse nuk e zgjidhi këtë çështje gjatë mandatit të tij si ministër i Drejtësisë, duke theksuar se studentët kanë nevoja reale, ndërsa BDI-ja, sipas tyre, merret me kalkulime politike.
Në fund, koalicioni shprehet se tashmë ka nisur zgjidhjen e problemit në mënyrë të qëndrueshme, duke bërë të ditur se provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe është vetëm hapi i parë dhe se synimi është që të gjitha provimet profesionale të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe.
“Shqiptarët nuk duan më zhurmë. Duan zgjidhje, e zgjidhja po vjen”, përfundon reagimi i VLEN-it.