BDI ka shprehur shqetësim për siç thotë, mënyrën se si 18 milionë denarë nga Ministria e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive u shpërndanë në mënyrë të pabalancuar duke shtuar se nga 36 projektet e financuara, vetëm një shoqatë shqiptare ka përfituar mbështetje, ndërsa organizatat maqedonase, serbe dhe të komuniteteve të tjera dominojnë listën e përfituesve.
BDI tha se një numër i konsiderueshëm projektesh të financuara nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me promovimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe jo domosdoshmërisht në përputhje me kriteret dhe objektivat për të cilat janë dedikuar.
Ata kërkuan publikimin e plotë të procesit të vlerësimit, kritereve sipas të cilave janë përzgjedhur projektet dhe një auditim të pavarur për të verifikuar nëse fondet publike janë ndarë në mënyrë të drejtë dhe transparente.
“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim serioz për mënyrën se si Ministria e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive ka ndarë 36 projekte në vlerë totale prej rreth 18 milionë denarësh (afërsisht 300 mijë euro), të destinuara për promovimin e marrëdhënieve ndëretnike".
Sipas të dhënave të publikuara, rezultatet tregojnë një shpërndarje thellësisht të pabalancuar dhe në kundërshtim me vetë qëllimin e programit.
Nga 36 projektet e financuara, vetëm një shoqatë shqiptare ka përfituar mbështetje, ndërsa organizatat maqedonase, serbe dhe të komuniteteve të tjera dominojnë listën e përfituesve.
Veçanërisht shqetësues është fakti se pesë projekte janë ndarë për iniciativa të lidhura me komunitetin serb, përfshirë edhe projektin për shënimin e “110-vjetorit të Kajmakçalanit”, ndërsa organizata “Bashkësia e Serbëve të Maqedonisë” nga Kumanova ka përfituar tre projekte, kurse shoqata “KUD Srpski Vez” gjithashtu nga Kumanova ka përfituar dy projekte.
Në të njëjtën kohë, një numër i konsiderueshëm projektesh të financuara lidhen me fusha si rehabilitimi shëndetësor, lufta kundër varësive, mbështetja e personave me aftësi të kufizuara, digjitalizimi, standardet e shërbimeve apo tema të tjera që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me promovimin e marrëdhënieve ndëretnike.