Kanë nisur zyrtarisht punimet për rikonstruimin e plotë të stadiumit ndihmës të KF Bashkimi, projekt i cili synon përmirësimin e kushteve për sportistët dhe veçanërisht për gjeneratat e reja.
Për fillimin e punimeve ka reaguar Safije Sadiki Shaini, e cila tha se ky projekt përbën një investim të rëndësishëm në infrastrukturën sportive dhe në të ardhmen e sportit.
“Nisëm zyrtarisht punimet për rikonstruimin e plotë të stadiumit ndihmës të KF Bashkimi. Sot ishim nga afër për të ndjekur fillimin e këtij projekti madhor, i cili nuk është thjesht një investim në infrastrukturë, por një përkushtim i drejtpërdrejtë për të ardhmen e sportit tonë”, tha Sadiki Shaini.
Ajo theksoi se për dy dekada stadiumi ishte përdorur, sipas saj, si premtim elektoral, ndërsa sportistët e rinj nuk kishin pasur kushtet e nevojshme.
“Për dy dekada me radhë, ky stadium u përdor si premtim elektoral, ndërsa sportistët e rinj mbetën pa kushtet elementare. Ndërsa me ardhjen e Koalicionit VLEN në qeveri, ai premtim po bëhet realitet”, u shpreh ajo.
Sadiki Shaini tha se përmes këtij projekti synohet krijimi i një hapësire të sigurt, moderne dhe profesionale për fëmijët dhe talentet e reja.
“Për fëmijët tanë po krijojmë një ambient të sigurt, modern dhe profesional ku talentet e reja mund të zhvillohen, të largohen nga rruga e zakonet e dëmshme, e të rriten me frymën e sportit dhe disiplinës”, tha ajo.
Ajo shtoi se sportistët shqiptarë do të kenë mundësi të ushtrojnë dhe të përgatiten në kushte me standarde moderne.
“Sportistët tanë shqiptarë më në fund do të kenë kushtet me standarde moderne që meritojnë për stërvitje dhe përgatitje dinjitoze”, deklaroi Sadiki Shaini.
Në fund, ajo theksoi se fokusi duhet të jetë te realizimi i projekteve konkrete për rininë.
“Rinia jonë meriton vepra, jo fjalë. Vazhdojmë me punë të ndershme e me hapa konkretë drejt ndryshimit!”, përfundoi ajo.