Major Ramabaja: Me Enver Malokun demantuam shpifjet e Demaçit gjatë luftës

Opinione

Major Ramabaja: Me Enver Malokun demantuam shpifjet e Demaçit gjatë luftës

Nga: Major Nazif Ramabaja Më: 11 janar 2021 Në ora: 20:25
Ramabaja dhe Maloku

Heroizmi i Enver Malokut u shfaq edhe në kohërat më të vështira gjatë luftës, dhunës dhe gjenocidit të nacional-shovinizmit serb mbi popullatën e Kosovës, pata rastin të dëgjohemi nëpërmjet lidhjes telefonike nga Zona Operative e Rrafshit të Dukagjinit (ZORRD), ku vepronim me njësitet Operative të UÇK-së gjatë dërgimit të komunikatave dhe përkrahjes së pa rezervë që gëzonte presidenti dhe komandantit suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

Atëkohë në mjetet e informimit qarkullonte një debat i nxehtë në mes të Fehmi Aganit (ideologut të formimit të grupeve të para mbrojtëse, të cilët kishin shkuar në Shqipëri në v. 1991 për ushtrime luftarake siç ishin: Sali Çekaj-udhëheqës grupi, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, Zymer Lulaj, Sami Tahiraj, Osman Ferizi, Islam Visoka, Hysen Agushi, Shefqet Brajshori dhe shumë e shumë të tjerë, të cilëve u kërkoj ndjesë në mungesë hapësire për t´ua përmend emrin të gjithë pjesëmarrësve të grupeve të para ushtarake në këtë përshkrim), i cili ishte në dijeni të plotë për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës e në kuadër të tyre edhe për njësitet Operative të UÇK-së dhe në anën tjetër Adem Demaçit, në radion Evropa e Lirë. Debati ishte ndërmjet tregimeve për simpatinë dhe përkrahjen në terren që gëzonte presidenti Rugova në njërën anë, sipas Fehmi Aganit dhe propagandën që e lansonte Adem Demaci duke pohuar të kundërtën dhe se presidenti Rugova ishte ” president në letër” gjithnjë sipas Adem Demaçit.

Ky debat i nxehtë na shtyri që ti japim përgjigje Demaçit dhe të gjithë atyre që mendonin si ai, nëpërmjet komunikatave të 18 dhe 25 gushtit 1998 (shih arkivën e QIK-ut 18 dhe 25 gusht 1998) me të vetmin qëllim për ta njoftuar opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar me disponimin e popullatës së Lugut të Baranit dhe njësive operative të UÇK-së për ti bërë publike këto opinione nëpërmjet Qendrës Informative të Kosovës (QIK), e cila ishte e vetmja mënyrë për ta lansuar këtë informatë, e cila qendër mbante gjallë informimin objektiv e profesional përmes kryeshefit të kësaj qendre atëkohë njeriut që pati guximin, kurajon për një informim korrekt, objektiv, profesional të drejtë dhe gjithëpërfshirës Enver Malokut.

Komunikimin e bëmë nëpërmes gazetarit Zekë Sinanaj më 17 gusht duke shkuar në shtëpinë e tij me shefin e informimit në Brigadën 131 Rrok Berishën dhe unë (major Nazif Ramabaja).

Pas shpjegimit që bëmë në lidhje me qëllimin për kontaktimin me Qendrën Informative të Kosovës dhe shefin e saj Enver Malokun, gazetari Sinanaj e mori në telefon dhe filloi që t´ia sqaronte dëshirën dhe qëllimin tonë për çka edhe kishim trokitur në derë të Zekë Sinanajt që të kontaktojmë dhe komunikojmë drejtpërsëdrejti me Enverin. Pas shpjegimit të qëllimit tonë Enveri ishte i gatshëm që ti merrte shënimet fjalë për fjalë duke ia lexuar tekstin, të cilin në një moment Enver Maloku e ndërpreu Zekë Sinanajn duke i thënë: “Kush është ai komandant i njësiteve Operative në Lugun e Baranit, a bën ta di emrin e tij dhe të dal publikisht”? Pas kësaj ndërhyrje të Enver Malokut e mora telefonin dhe vazhdova bisedën me të duke i thënë: Tani jeni duke biseduar drejtpërsëdrejti me komandantin e njësive Operative në Lugun e Baranit komandant Nazif Ramabajën, informatën të cilën e kërkove edhe e bëmë publike për ty personalisht, ndërsa ne ende s’kemi dritë jeshile të dalim në opinion haptas, për arsye të riorganizimit dhe ristrukturimit të njësive të UÇK-së në terren të filluar dhe ende të pa përfunduar, për këtë arsye ende s´mundemi të dalim haptas, por që ti tash e di se kush është komandues dhe udhëheqës i këtyre njësive operative në Lugun e Baranit dhe se informatën si të tillë mundesh ta publikosh sepse është 100 % e saktë”.

Pran tij ishte edhe një personalitet i njohur i krijimtarisë letrare, Rushit Ramabaja, dhe Enveri më njoftoi se e ka pranë. Kur Rushiti e dëgjoi emrin tim, nëpërmjet Enverit mi përcolli përshëndetjet e tija, ndërsa Enveri më tha, “tash e kam të qartë se kush jeni”.

Ndërsa, më 25 gusht ishte Rrok Berisha, ai i cili e dërgoi komunikatën drejtpërsëdrejti nëpërmjet lidhjes telefonike tek Enver Maloku. Pas mbarimit të bisedës pata përshtypjen se Enveri ishte aq i lumtur dhe vërehej gëzimi i papërshkrueshëm, i shprehur nëpërmjet lidhjes telefonike, duke më thënë se “tash jem të sigurt, se ka kush na mbron, edhe ne kem forcat tona mbrojtëse”.

Me këtë dua të them se sa ishte i përkushtuar të dijë çdo detaj dhe imtësi në organizimin tonë luftarak. Ato komunikata i publikoi në QIK më 18 dhe 25 gusht 1998, të cilat patën një jehonë të madhe në opinionin e brendshëm, por edhe në atë ndërkombëtar për faktin se në terren operojnë njësitet operative të UÇK-së dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dalngadal po ristrukturohet dhe institucioni.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat