LDK do t’i fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit, Qeverinë e drejton tutje Dr. Avdullah Hoti!

Opinione

LDK do t’i fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit, Qeverinë e drejton tutje Dr. Avdullah Hoti!

Fatmir Bajraj Nga Fatmir Bajraj Më 27 janar 2021 Në ora: 22:06
Avdullah Hoti

LDK-ja meriton besimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, i cila shprehet me votë të lirë në kutitë e votimit me 14 shkurt 2021 në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, për faktin se, fatin e vendit dhe të qytetarëve të saj, kurrë nuk e tradhtoi dhe nuk e braktisi, përkundrazi; mori mbi supe përkundër vështirësive dhe kompleksitetit të sfidave pavarësisht çmimit, por me të vetmin qëllim: ruajtjen e vendit dhe interesit nacional të Republikës së Kosovës.

LDK, ka trashëgimi nacional-shtetërore dhe një histori unike-pozitive në të gjitha fazat dhe etapat kruciale të fateve tona në mbi tri dekada veprimtarie, e shquar si epitom e Lëvizjes nacionale për liri, pavarësi e demokraci.

- LDK, për dallim prej tjerëve, edhe tani, sikur edhe gjatë gjithë historikut të saj, histori kjo e re, edhe e Kosovës, asnjëherë nuk u lëkund nga erërat dhe stuhitë e panumërta karshi atdheut dhe fatit të tij, përkundrazi: mori përgjegjësitë si bartëse e proceseve, përkundër faktit se përballej me vendime jo shumë popullore dhe të cilat ishin target i kundërshtarëve politik dhe në veçanti i atyre, të cilët u treguan dhe dëshmuan të pa zot dhe të pa denjë për të ushtruar mandatin kushtetues, të cilin e kishin kërkuar nga sovrani dhe këtë të fundit e lanë në lloç!

LDK-ja dhe Qeveria e koalicionit e drejtuar nga Kryeministri Hoti, mori mandatin duke krijuar një shumicë të re parlamentare në një kohë të rëndë për vendin:

- Përballja me pandeminë me Corona virus (COVID-19), i cili përveçse i padukshëm dhe i rrezikshëm, ishte edhe i frikshëm për gjithë botën dhe me pasoja katastrofale për jetën e njerëzve,

- Dialogun me Serbinë, e cila ishte në krye të agjendës së BE-së dhe SHBA-vë, dhe insistimi i tyre në eliminimin e barrierave për fillimin e dialogut, fakt ky që kishte rrëzuar dy qeveri pararendëse të Republikës së Kosovës, ose thënë ndryshe, ishin dorëzuar para presionit duke kërkuar alibi për ikje nga përgjegjësitë shtetërore me dorëzim-dezertim!

- Mëkëmbjen ekonomike të vendit, të rrënuar nga COVID-19, dhe nga pararendësit në krye të Qeverisë me sjellje dhe vendime skandaloze, të cilët shteren dhe dëmtuan fondet dhe buxhetin shtetëror të Republikës së Kosovës në mënyrë arbitrare dhe klandestine.
 

- Përtëritjen e marrëdhënieve të cenuara me partnerët tanë strategjikë BE & SHBA, dhe në veçanti me sponsorin e lirisë dhe pavarësisë sonë, Amerikën, e cila kishte filluar sanksionet dhe abstenimin nga mbështetja imediate dhe kruciale të shtet ndërtimit të Kosovës, si pasojë e mediokritetit dhe sharlatanizmit të z. Kurti në krye të Qeverisë, të cilën e braktisi paturpësisht.
 

Pas Qeverisë Mustafa, Qeveria Hoti, është Qeveria ma e suksesshme e pasluftës dhe përkundër brishtësisë në numra dhe shantazhit të partnerit të koalicionit gjatë gjithë kohës, prapë se prapë, është storie suksesi, duke pasur parasysh edhe largimin e "dilemave" të ikanakëve nga përgjegjësitë, për: Thikat mbi Harta dhe gjunjëzimin e Kosovës në Uashington, duke provuar të kundërtën, Marrëveshjen historike të Uashingtonit, të 4 shtatorit 2020 në Shtëpinë Bardhë dhe nën kujdesin e Presidentit amerikan, Donald Trump.

Pra, Kryeministri Hoti, për herë të parë në historinë e shqiptarëve, në Shtëpinë e Bardhë dhe jo të verdhë e të kuqe siç e portretizonte qyqari Kurti, arriti edhe të marrë edhe njohjen nga Izraeli me bekimin e Presidentit amerikan, Donald Trump.

LDK, do të vazhdojë të qeverisë me vendin, dhe Kryeministrin Hoti edhe pas 14 shkurtit 2021, për të ndihmuar vendin ekonomikisht dhe në dialogun për njohje reciproke me Serbinë, akt ky që do t'i hap rrugë integrimit të vendit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare deri në OKB.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat