Ribashkimi (bashkimi) kombëtar nuk është tabu temë, por e drejtë historike dhe kombëtare e shqiptarëve

Opinione

Ribashkimi (bashkimi) kombëtar nuk është tabu temë, por e drejtë historike dhe kombëtare e shqiptarëve

Nga: Prof. Dr. Musa Limani Më: 10 mars 2021 Në ora: 22:38
Prof. Dr. Musa Limani

Deklarata e Ministrit të Diasporës të Qeverisë së Shqipërisë z. Pandeli Majko, se “çështja e Bashkimit Kombëtar duhet të mbyllet përfundimisht”, si dhe kohë më parë teza “kombi kosovar” të lansuar pas Pavarësisë së Kosovës, paraqesin dy çështje (teza) shqetësuese,  të pa justifikueshme, dhe të pa pranueshme dhe ofenduese ndaj historisë, sakrificave dhe të gjitha luftërave dhe përpjekjeve të shqiptarëve si komb për liri dhe formimin e shtetit të tyre në baza nacionale, në kuadër të të cilit do të përfshiheshin të gjitha territoret etnike të banuara me shqiptarë. Deklarata e  z. Majko si Ministër, merret si mendim i Qeverisë së Shqipërisë (nëse nuk distancohet Qeveria), e jo si mendim i tij personal. Nëse është mendim personal i tij, nuk ngre peshë, sepse me këtë rast ai shpreh mendimin e tij dhe papërgjegjësinë dhe vetëdijen e ulët kombëtare. Mirëpo, deklarata e tij si Ministër, duhet të merret seriozisht, sepse ajo si e tillë përfaqëson qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë në krye me Kryeministrin z. Rama, ka peshë të rëndë politike, historike, e mbi të gjitha kombëtare, sepse e deklaron një qëndrim me reperkusione të shumëfishta negative të interesit gjithë kombëtar. Për fat të mirë, kjo deklaratë nuk pati mbështetje te popullata shqiptare as në Shqipëri e as në Kosovë, veçmas në diasporë dhe si e tillë u pritë me reagime e indinjatë të thellë ndaj z. Pandeli Majko, që më parë ishte edhe Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. S’ka dyshim se, kjo deklaratë dëmton çështjen tonë gjithë kombëtare, të drejtën historike dhe kombëtare për Ribashkimin (Bashkimin) e shqiptarëve në një shtet të vetëm, që do të quhej Shqipëria autoktone, gjeografike, apo etnike dhe e mirëfilltë.

Ndërkaq, teza e dytë është lansuar nga një grup kuazi intelektualësh në Kosovë, në krye me profesor Nexhmedin Spahiun, i cili edhe ka botuar librin mbi formimin e ”kombit kosovar”.  Kjo, nuk është për tu habitur, sepse në demokraci mund të kemi edhe këso mendimesh të lira individuale e grupore edhe pa ndonjë bazë shkencore, bajate e pa “krip”, siç është kjo. Këta zotëri, me rastin e Pavarësisë së Kosovës si shtet i pavarur dhe ndërkombëtarisht i pranuar, lansuan dhe tani zhvillojnë tezën mbi “kombin kosovar”. Kështu, Pavarësia e Kosovës si shtet i nxiti këta zotëri për të zhvilluar tezën e “kombit kosovar”, duke u nisur nga ajo se shteti formon komb. Mirëpo, këta zotërinj nuk e din një gjë se, shteti nuk formon komb, por përkundrazi kombi mund të formoj shtet e të kemi një komb e dy shtete, siç kemi raste të tillë në botë, psh. Vietnami Verior, Vietnami Jugor, Greqia dhe republika greke në Qipro, Turqia dhe republika turke në Qipro, por asnjëherë as njëra e as republika tjetër nuk janë deklaruan se i përkasin kombit qipriot, por mbajnë përkatësinë e tyre kombëtare si grek, përkatësisht turq. Andaj, me formimin e shtetit të dytë shqiptarë, pra Kosova, pse do të duhej të formohej edhe “kombi Kosovar”? Termi “Kosovar” përkon me përkatësinë  gjeografike, që paraqet pjesën veriore të Shqipërisë autoktone, gjeografike, apo të mirëfilltë natyrore, e jo përkatësinë kombëtare. Ne jemi kosovar nga shtrirja dhe vendosja gjeografike, por assesi nuk jemi “komb kosovar”. Nuk e di se autorët e kësaj teze lansimin e saj e kanë bërë me vetëdije apo pa vetëdije, me qëllim apo pa qëllim, dhe në çfarë bazash shkencore e historike e kanë mbështetur, por një gjë dihet se, teza mbi “kombin kosovar”, çon ujë në mullirin  e armikut tonë shekullor dhe në një mënyrë vërteton tezën e Akademisë së Serbisë, të paraqitur në ish Jugosllavi, duke thënë se,  “Vi ste šiptari, dok su Oni albanci”. Interpretimi i kësaj teze të Akademisë serbe që nuk ka kurrfarë baze historike e shkencore, por paraqet gënjeshtër dhe pretendime të ndarjes së kombit tonë në dysh, do të ishte: Shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë në ish Jugosllavi, janë “shiptar”, kurse ata në Shqipërinë administrative janë “shqiptarë”. Me fjalë të tjera, interpretimi i  kësaj teze të Akademisë së Serbisë, do të thotë se ne shqiptarët nuk jemi një komb. Andaj, sipas  tezës serbe, Shqiptarët në Shqipëri janë tamam komb shqiptarë, kurse ne që gjendemi jashtë kufijve të shtetit të Shqipërisë administrative aktuale, jemi një nëngrup i tyre, por jo edhe një kombë me ta. Bile, termi “šiptari-shiptar” që përdoret në gjuhën serbe, ka domethënie, përkatësisht konotacion përbuzës, njerëz me “bisht”, të pa edukuar, pa kulturë dhe nën grup i kombit shqiptarë. Lidhur me këtë me të drejtë deputeti nga Lugina e Preshevës z. Shaip Kamberi, në Kuvendin e Serbisë para pak kohe i reagoi ashpër dhe guximshëm  ministrit të Serbisë z. Vulin për përdorimin e termit “šiptari”. Ne veten e quajmë shqiptar, por për gjuhën serbe ne jemi “albanci”. Andaj, sipas tezës serbe, shqiptarët në Kosovë, Luginën e Preshevës, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi etj., nuk janë njësoj si shqiptarët në Shqipëri, në kuptimin se nuk jemi një kombë një gjakë, nuk e kemi një gjuhë, një kulturë, një histori etj. që të jep me kuptua se ne jashtë shtetit të Shqipërisë qenkemi një nëngrup i kombit shqiptarë. Tani presupozojmë se u formua “kombi kosovar”. Unë do të shtroja këtë pyetje z. Spahiu dhe të tjerëve që e zhvillojnë dhe mbështesin këtë tezë. Me ketë rast, cilit komb do t’i takonin shqiptarët në Maqedoninë Veriore, në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi etj., “kombit kosovar”, apo “kombit shqiptarë”?! Apo, ndoshta edhe ata duhet të formojnë ndonjë  kombë të ri shqiptarë?! S’ka dyshim se teza e Akademisë dhe pushtetarëve të Serbisë, ka të vetmin qëllim, edhe pse edhe ata e din bile edhe më mirë se ne, se jemi një komb kudo që gjinden shqiptarët, që ta luftojnë ribashkimin kombëtar dhe të ndahet etniteti jonë kombëtar në dyzash në “shiptar” dhe në “shqipëtar”.

Si rrjedhim, duke u bazuar në përmbajtjen e këtyre dy çështjeve, përkatësisht të tezës së “kombit kosovar” dhe deklaratës se “çështja e Bashkimit Kombëtar duhet të mbyllet përfundimisht”, që të dyja janë të dëmshme dhe përdhosin dhe ofendojnë historinë, luftërat, përpjekjet, sakrificat, luftërat për mbrojtjen e trojeve etnike dhe krijimin e Shqipërisë autoktone.  Për ribashkimin kombëtar nuk mund të flas e as të vendos individi, apo grup individësh, për ketë do të flasin institucionet shtetërore e shkencore të dy shteteve shqiptare: Shqipërisë dhe Kosovës, e përfundimisht për ketë do të vendosë fjala e popullit (sovrani), nëpërmjet referendumit gjithë kombëtarë.  

Andaj, për të arsyetuar nevojën e Ribashkimit (bashkimit) Kombëtar, unë do të sjellë disa argumente historike, rreth copëtimit të trojeve etnike shqiptare dhe pengimin e formimit të shtetit mbar kombëtar, kuptohet aq sa unë kam njohuri për historinë tonë kombëtare. Kur kemi të bëjmë me çështjen e unitetit kombëtar, duhet të bëjmë dallimin terminologjik të termit “Bashkim”, apo “Ribashkim”. Që në fillim duhet potencuar se për kah përmbajtja këto dy terma kanë të njëjtin qëllim, por ekziston dallimi substicional  historik e kombëtar. Bashkimi mund të interpretohet se, nuk kemi qenë një trung dhe një komb dhe tani do të bashkohemi. Ndërkaq, ribashkimi ka kuptimin, që ne shqiptarët si komb kemi qenë unik, kompakt në territoret tona etnike, por na kanë ndarë dhe copëtuar në shumë shtete. Andaj, si për herë dhe tani aspirata jonë historike dhe kombëtare,  është që të kthehen këto troje të aneksuara e pushtuara nga fqinjët tanë grabitqar, në një shtet shqiptar gjithë  kombëtar.

Në shek.. XIX, me rastin e formimit të kombeve dhe krijimit të shteteve në baza nacionale, ku shqiptarëve nuk iu lejua kjo e drejtë (e drejta e vetëvendosjes), linden dhe lëvizjet për çlirimin e trojeve etnike shqiptare nga zgjedha e huaj dhe për bashkimin e tyre në një shtet të vetëm kombëtar, ku do të përfshihen të gjitha territoret etnike shqiptare, duke formuar kështu Shqipërinë gjeografike, apo etnike të mirëfilltë. Mirëpo, këto aspirata të shqiptarëve u penguan nga Serbia me programin e njohur me emrin “Naçertania” më 1844, nga Greqia me platformën “Megali Idea”, si dhe nga pretendimet e Malit të Zi për aneksimin e disa territoreve etnike shqiptare, si p.sh marrjen e Shkodrës etj. Për t’i realizuar këto qëllime, qarqet nacionaliste, shoviniste e hegjemoniste serbe, si për herë, me gënjeshtra paraqitnin “argumente” kinse shqiptarët nuk janë popullatë autoktone dhe pasardhësit e ilirëve, e aq më pakë të dardanëve si banor autokton të popullatës shqiptare në Kosovë, por “popullatë të ardhur pas sllavëve nga viset lindore të gadishullit dhe se treva e Kosovës është djepi dhe Jerusalemi i shtetit mesjetar serb, pra me te janë të lidhura kujtimet, legjendat, përmendoret e ndërgjegjes së kombit të tyre”. Kësaj gënjeshtre, më së miri iu është përgjigjur akademik prof. Dr. Esat Stavileci, ku ndër të tjera potenconte: “Po qe se serbët mendojnë se Kosova është “zemra” dhe “djepi” i “shtetit serb”, duhet ta kuptojnë se “transplantimi” është bërë në “trup të huaj”, sikurse që edhe fëmija “që përkundet në djep” është “fëmijë i huaj”.

Gjatë krizës së Lindjes 1878-1880, nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët luftuan kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit, për të mbrojtur tërësinë e trojeve etnike, si dhe kundër  Portës së Lartë e cila pengonte për të krijuar shtetin autonom shqiptarë. Mirëpo, realizimin e këtyre qëllimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e pengoi dhe e shtypi me dhunë ushtarake Perandori Osmane, duke i skuqur, tokat shqiptare, veçmas  Kosovën me gjak shqiptari, vetëm se kërkonin formimin e shtetit autonom të shqiptarëve në trojet e tyre, pra formimin e shtetit të tyre në baza nacionale, sikur që iu ishte lejuar vendeve tjera të Ballkanit. Mirëpo, edhe për rreth trysnisë otomane, luftërat të shqiptarëve për pavarësi nuk u ndalën, ato vazhduan më 1899, 1908, 1910, në të cilat Kosova priu për kryengritjet çlirimtare, siç ishte e njohur lufta e Kaçanikut e udhëhequr nga trimi dhe heroi kombëtar i Karadakut të Preshevës Idriz Seferi. Siç dihet, në këtë situatë të ndërlikuar të konflikteve në mes vendeve ballkanike më 28 Nëntor 1912, delegatët e ardhur nga të gjitha viset shqiptare, si: Kosova, Presheva, Maqedonia, Çamëria e viset e tjera, u mblodhën në Kuvendin Kombëtar të Vlorës heroike, me ç’rast u shpall Pavarësia  Kombëtare e Shqipërisë, duke përfshirë mbar viset etnike shqiptare, në një shtet të vetëm shqipëtar. Për fat të keq të shqiptarëve, Fuqitë e Mëdha nuk u pajtuan me këtë vendim të këtij Kuvendi. Kështu, në Konferencën e Londrës e thirrur nga Fuqitë e Mëdha më 1913, njohën vetëm aktin e krijimit të shtetit shqiptar të pavarur, duke mos pranuar bashkimin e trojeve tjera etnike shqiptare. Kështu, për fat të keq, kufijtë e Shqipërisë autoktone nuk u caktuan me rastin e shpalljes së Pavarësisë, por në Konferencën e Londrës më 29 korrik 1913, e cila trojet etnike shqiptare i ndau në pesë pjesë: Greqi, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Kosovë. Andaj, Shqipëria e sotme (Londoneze), nuk është ajo që e shpallën dhe e donin shqiptarët, por është produkti i Konferencës së Londrës. Kuvendi i Vlorës dhe Qeveria e Përkohshme që doli prej tij nga përbërja përfaqësohej thuajse nga të gjitha trojet shqiptare, duke përfshirë edhe ato që ishin pushtuar nga ushtritë e vendeve ballkanike, gjë që i dha këtij kuvendi karakterin e një Asambleje mbarë shqiptare. Më 4 dhjeto të vitit 1912, kur u zgjodh Qeveria e Përkohshme, midis 63 delegatëve, 16 ishin nga Kosova, nga kryeqendra e saj Shkupi dhe nga qytetet e tjera, ndërsa 7 ishin nga Çamëria.

Kështu, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarëve iu bënë padrejtësi të mëdha, shtrembërime historike, aneksime, uzurpime, copëtime, spastrime territoriale etnike të trojeve të pastra etnike, siç ishte rasti me Vilajetin e Kosovës, që me një fjalë quhet “Toplicë”,  e çka jo tjetër. Andaj, pas Luftërave Ballkanike, Luftës së Parë dhe të dytë Botërore, Shqipëria gjeografike, etnike dhe e mirëfilltë u tkurrë (zvogëlua), ku jashtë Shqipërisë administrative të sotme, përkatësisht jashtë kufijve të saj mbetën  mbi 60% e territoreve etnike shqiptare dhe të popullsisë. Konferenca e Londrës më 1913, nga territoret etnike shqiptare, shkëputi rreth 52 mijë km2, nga të cilat Serbisë iu dhënë 52 mijë km2, duke përfshirë edhe Maqedoninë, apo si quhej Serbia Jugore, Malit të Zi  mbi 7 mijë km2 dhe Greqisë rreth 10 mijë km2. Në këtë mënyrë, Fuqitë e Mëdha në Kongresin e Londrës e mbollën të keqen për popullin shqiptarë, sepse pa të drejtë bënë copëtimin e tokave etnike shqiptare, për interes të tyre dhe të aleatëve të vet. Lidhur me ketë, me të drejtë kishte reaguar Edith Durham “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe Shqiptarët, Tiranë, 1990, fq. 36”, duke potencuar se “... Nuk duhet lejuar asnjë mënyrë rivendosja e fshatarëve sllavë në krahina që s’ka dyshim se i përkasin Shqipërisë”.  Kështu, Fuqitë e Mëdha, trojet etnike shqiptare i përkundnin në djepin e fatit, duke i hedhur territoret e saja nëpër shtetet fqinje aleat të tyre, si të ishin ato mallra për këmbim, e jo territore etnike shqiptare. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, për këto pa drejtësi që iu bënë shqiptarëve kishte edhe reagime ndërkombëtare. Për këto padrejtësi, me të drejt reagoi Presidenti i SHBA-së V. Vilson (U. Vilson), në Konferencën e Versajës, “me këmbëngulje dhe kokëfortësi mbrojti të drejtën e kombeve të vogla si Shqipëria, që të gëzonin vetëqeverisje demokratike dhe pavarësi”. Lidhur me këtë Presidenti i SHBA-së Vilson, thirri një Kongres të Kombeve të Shtypura në Vashington në korrik të vitit 1918, ku mori pjesë Peshkopi Fan Noli, si përfaqësues i shqiptarëve në ketë kongres. Noli në takim të ndarë bisedoi me Presidentin Vilson, për çështjen e pavarësisë shqiptare, ku mori premtimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, ku ndër të tjera kishte deklaruar: “Në Kongresin e Paqes në Paris, do të kem një zë dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë”. Mirëpo, për fat të keq, edhe për rreth premtimeve të Presidentit Vilson dhe angazhimit të shqiptarëve, formimi i shtetit të mirëfilltë shqiptarë në territoret e veta etnike në baza nacionale u pengua nga Fuqitë e Mëdha, veçmas nga vendet e Evropës Perëndimore. Për formimin e Shqipërisë autoktone natyrale, Edwin Jacque, kishte deklaruar: “Platforma e Shqipërisë Natyrale bazohet në trashëgiminë pozitive të shqiptarëve qysh nga epoka e Skënderbeut dhe përvoja e Lidhjes së Prizrenit, Kuvendi i Lezhës dhe Lidhja e Prizrenit mbeten dy kulme të përpjekjeve të shqiptarëve për tu bashkuar” (Edwin Jacque, Shqiptarët-Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, Tiranë, 1995,, fq. XVII).

Në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët në Shqipëri e Kosovë, si dhe viset e tjera ku banojnë shqiptarët, hynë në luftë për bashkimin kombëtar, por të ndarë në dy “taborre” kryesore: partizan dhe Balli Kombëtar (ballist). Ndonëse këto dy grupe kishin program të ndryshëm politik, por platformë dhe qëllim të përbashkët-bashkimin kombëtar. Kështu, në Rezolutën e Konferencës së Bujanit, e mbajtur më 31 dhjetor 1943 dhe 01 janar 1944, ndër të tjera, në pikën 2 thuhet: “Shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, si gjithmonë, dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë” dhe pika 3 “Rruga më e mirë për shqiptarët që të bashkohen me Shqipërinë është lufta e përbashkët me popujt tjerë të Jugosllavisë”. Siç dihet, për zgjedhjen e çështjes kombëtare (bashkimin), gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte e angazhuar dhe interesuar edhe Shqipëria si shtet. Mbledhja e Mukjes, e mbajtur më 1-2 gusht 1943 në Tiranë, ishte datë e madhe historike, në të cilën “ Atje u kërkua të bashkoheshin të gjitha forcat politike dhe ushtarake të popullit shqiptarë për çlirimin e Shqipërisë, duke bashkuar edhe Kosovën (me Kosovë duke kuptuar të gjitha trojet shqiptare që gjendeshin nën juridiksionin e Jugosllavisë, nënvizoi: M.L.), e Çamërinë”. Kjo ishte një thirrje dhe kushtrim historik i shtetit shqiptar për Ribashkimin (bashkimin) e të gjitha trojeve etnike shqiptare dhe formimin e Shqipërisë gjeografike, natyrale dhe etnike. Tërbimin, mllefin dhe shovinizmin serbosllav për këtë vendim, më së miri e kishte shprehur Dushan Mugosha, personi më i besueshëm i Jugosllavisë për aneksimin e Shqipërisë si republikë të shtat jugosllave, me këto fjalë fyerëse e të ndyta: “Jebem vam etničku Albaniju- Ju çifsha Shqipërinë etnike”. Madje, me qëllim që Kosova dhe viset e tjera shqiptare të përfshihen në kuadër të një shteti, në Shqipëri më 1948, ishte themeluar “Komiteti i Çlirimit të Kosovës”, në krye të të cilit ishin vënë oficerët më të devotshëm të Ushtrisë Shqiptare. Tradhtia ndaj shqiptarëve, si edhe më herët ndodhi edhe në këtë periudhë kohore historike. Edhe për rreth premtimeve e përpjekjeve të sipër cekura, edhe pas Luftës së Dytë Botërore të uzurpuara mbetën Kosova dhe viset tjera etnike nën juridiksionin e Jugosllavisë së AVNOJ-it dhe nën Greqi. Me këtë rast territoret etnike të mbetura nën ish Jugosllavi, me qëllim që të zvogëlohet influenca shqiptare, si dhe shndërrimi i tyre në pakicë kombëtare, u ndan në katër njësi politiko-administrative: në Maqedoni, Serbi, ku ishte përfshirë Lugina e Preshevës (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja), Mali i Zi dhe Kosovë si autonomi e Serbisë.

Pas mbarimit të LDB-së, pas premtimeve që iu kishin dhënë nga ish Jugosllavia dhe për përcaktimin e Kosovës se do të mbesin në Jugosllavi, apo do t’i bashkëngjitet Shqipërisë, më 1945 mbahet Konferenca në Prizren më 10 korrik 1945, në të cilën u bë trysni politike dhe fizike ndaj pjesëmarrësve shqiptar për të votuar që Kosova të mbetet në Jugosllavi. Andaj, për realizimin e këtij qëllim më 08 korrik 1945 me urdhër të udhëheqjes së PK të Jugosllavisë u vendos pushteti ushtarak në Kosovë. E gjithë kjo tregon vazhdimësinë serbomadhe e hegjemoniste serbo sllave kundër formimit të shtetit shqiptar në baza nacionale, pra të Shqipërisë natyrale. Andaj, duke u bazuar në të kaluarën historike dhe mos zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare shqiptare, në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, vatrat e krizës me luftëra guerile u paraqitën në territoret e banuara me shqiptar, si në: Kosovë (UÇK-ja), Maqedoni (UÇKSHM) dhe në Luginën e Preshëvës (UÇPBM).

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, territoret etnike shqiptare, heq Çamërinë, jashtë kufijve të Shqipërisë administrative, ndërmjet aleatëve të kësaj lufte, u ndanë në tri zona okupuese: bullgare, italiane dhe gjermane. Kufiri në mes zonës bullgare dhe italiane ishte Morave e Binçës. Zonës bullgare, iu lanë krahinat shqiptare të Shkupit, Kaçanikut, Preshevës, Kumanovës dhe Prespës. Ndërkaq, në Zonën italiane, që administrativisht u bashkuan me Shqipërinë ishin: prefektura e Gjilanit, Prishtinës, Pejës, Prizrenit dhe Tetovës. Po ashtu, qeverisë së Tiranës iu dhanë në administrim edhe krahinat e Dibrës, Kërçovës dhe Strugës në Maqedoni, si dhe Ulqini, Tuzi (Hot dhe Grudë), Gucia dhe Plavën në Mal të Zi. Më këtë rast, Italia okupuese në zonën e saj dhe asaj të administruat nga Tirana, formoi “Shqipërinë e Madhe”, siç quhej në zhargonin popullor: Shqipëria e Madhe me gjysmën e Uglarit. Uglari është fshat në komunën e Gjilanit, ku lumi Morave e Binçës e ndan në dy pjesë. Pjesa e këtij fshati, në anën e majtë të lumit, i takonte zonës bullgare, kurse pjesa në të djathte i takonte zonës italiane. Zona gjermane administronte prefekturën e Mitrovicës, ku përfshiheshin nënprefekturat: Vuçitërna (Vushtrria) dhe Podujeva.

Ndonëse, edhe me këtë rast trojet shqiptare, u copëtuan në tri pjesë nga aleatët e Luftës së Dytë Botërore, është për tu përshëndetur vendosja e institucioneve të qeverive lokale në  viset e përfshira në zonën italiane dhe nën administrimin e Tiranës, jashtë territorit të Shqipërisë administrative, të cilat përfituan me dhënien e shumë të drejta kombëtare shqiptarëve në shumë fusha, si: u instalua administrata në gjuhën shqipe, u hapën shkollat në gjuhën shqipe, u lejua përdormi publik i flamurit kombëtar, dhe mbi të gjitha u tregua se këto territore janë etnikisht shqiptare dhe si të tilla i takojnë Shqipërisë gjeografike. Përfshirja e këtyre territoreve nën udhëheqjen e shqiptarëve, tregon më së miri se këto vise paraqesin pjesë të pa ndashme të Shqipërisë natyrale.

 Andaj, “Shqipëria e Madhe” është tezë serbo-sllave, veçmas e Serbisë hegjemoniste, për të kundërshtuar ribashkimin kombëtar, përkatësisht rikthimin e territoreve të pushtuara dhe krijimin e Shqipërisë gjeografike ajo që ishte propozuar edhe nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës,  me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, në tokat e veta etnike. Prandaj, le ta din të gjithë, edhe ata që nuk dojnë ta pranojnë se populli shqiptarë është një komb, kudo që gjendet dhe jeton. Të gjitha luftërat që i kanë bërë shqiptarët, asnjëherë nuk i kanë bërë për të pushtuar toka të tjerëve, por i mbronin dhe kërkonin bashkimin dhe sundimin e tokave të veta dhe ribashkimin  e tyre në trungun e vet etnik, pra në një shtet që quhet Shqipëri, duke u bazuar në parimin: një komb, një gjuhë, një shtet, një flamur. Andaj, në kontekst të kësaj duhet potencuar se, deri sa baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit e eminencës evropiane kanë “konstruktuar” kufijtë e Ballkanit Perëndimor me gërshërë në dëm të trojeve dhe kombit shqiptar, bijtë e tyre tani duhet të “konstruktojnë” modelin dhe formën më të mirë evolutive, me dialog e paqe për revidimin e kufijve dhe për Ribashkimin e trojeve etnike dhe popullit shqiptarë. Me këtë rast, ata do të kthejnë borxhin dhe do të përmirësojnë gabimet dhe shtrembërimet historike të të parëve të tyre ndaj shqiptarëve. Kjo aq më para, kur dihet  se, ribashkimi i trojeve dhe shqiptarëve do të jetë element stabilizues, e jo destabilizues në Ballkan e më gjerë, sepse me këtë rast do të shuhen aspiratat dhe elementet hegjemoniste e shoviniste sllavo-ortodokse, që janë prezent edhe aktualisht ndaj trojeve etnike shqiptare. Çfarëdo ideje tjetër në këtë drejtim, pos Ribashkimit Kombëtar dhe formimit të Shqipërisë gjeografike-etnike, do të jetë e dështuar. Për formimin e Shqipërisë etnike, gjeografike, natyrale apo të vërtetë, i madhi Aleksandër Xhuvani thoshte: “Shqipëria etnike, e vetmja alternativë”. Madje, lidhur me këtë i madhi Faik Konica thoshte: “Nëse jemi të bashkuar, e pamundura bëhet e mundur, nëse jemi të ndarë, e mundura bëhet e pamundur”. Ja pra, perspektiva e shqiptarëve është në ribashkimin e tyre. Kjo do të ndodhë, në perspektiv, por kur do të jetë ajo varet nga ndryshimet ndaj zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare nga faktori ndërkombëtar. Ky problem kaq madhor dhe me përmasa ndërkombëtare, në rend të parë, varet nga qasja jonë ndaj ribashkimit kombëtar, i cili me shekuj qëndron mbi kurrizin e shqiptarëve, si dhe mbështetja e faktorit ndërkombëtar, i cili nuk ka munguar edhe më herët, duke veçuar mbështetjen e SHBA-së.

Shikuar historikisht Ballkani për herë ishte vatër baruti, në të cilën hapësirë historia po përsëritet me rregullsi të çuditshme. Për fat të keq, popujtë e këtij nënqielli, kurrë deri më tani nuk arritën t’i lajnë hesapet me njëri-tjetrin edhe at as në fillim të shekullit XXI. Edhe aktualisht nga hegjemonizmi serb ende kemi pretendime për shkëputjen e territoreve të caktuara etnike të Kosovës. Andaj, ky pretendim i Serbisë më së miri tregon se, pas zgjidhjen e drejtë të shqiptarëve nuk ka qetësi në Ballkan. Është larg mëndësh që të sigurohet paqja në Ballkan dhe në Evropë, duke ua mohuar të drejtën e vetëvendosjes shqiptarëve, si e drejt universale e çdo populli dhe duke i mbajtur të ndarë shqiptarët në shumë shtete. Ribashkimi Kombëtar, në vete nuk nënkupton formimin e “Shqipërisë së Madhe”, as cenimin territorial të asnjë vendi fqinjë, por rikthimin e trojeve tona etnike të aneksuara dhe të uzurpuara më parë nga vendet grabitqare fqinje. Në kontekst të kësaj duhet thënë se, ribashkimi kombëtar nuk kërkohet me luftë, por me dialog, me paqe, me marrëveshje, me procese demokratike, me procese integruese ekonomike, shoqërore, arsimor, kulturore, e mbi të gjitha në të drejtën e vetëvendosjes, e drejtë universale e njerëzimit dhe e drejtë historike e kombëtare e popullit shqiptarë.

Siç dihet, luftërat, sakrificat dhe synimet shekullore të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten tek ribashkimi kombëtar. Çështja e ribashkimit gjithëkombëtar të shqiptarëve është proces, por një gjë dihet, bota demokratike, si SHBA-ja, vendet e Evropës Perëndimore, nuk do të bëjnë asgjë për ne, nëse ne shqiptarët me veprimet tona nuk do të detyronim faktorin ndërkombëtar që të na mbështesnin drejt realizimit të këtij qëllimi dhe të drejtën tonë universale historike e kombëtare, ashtu siç bëri për Pavarësinë e Republikës së Kosovës, e cila paraqet hapin më të madh dhe më të sigurt drejt ribashkimit kombëtar.

Duhet potencuar se, është imperativ kohe  dhe e drejtë e popullit shqiptar që të kërkohet Ribashkimi si e drejtë historike dhe kombëtare, si zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare, e cila ende është e pa zgjidhur. Për realizimin e këtij qëllimi nevojitet pajtimi gjithëkombëtar, vetëdijesimi dhe ngritja e vetëdijes kombëtare mbi interesat personale, partiake, rajonale etj. Lidhur me këtë, më të drejtë konstatonte Akademik Prof. Dr. Esat Stavileci, duke potencuar: “Është kohë e fundit të kuptojmë se vetëm të konsoliduar kombëtarisht mund të jemi më të fortë, vetëm të organizuar më mirë mund të ndihemi më të qëndrueshëm, më të bashkërenduar mund të jemi më të sigurtë dhe vetëm të bashkuar mund të ndërtojmë një perspektivë më të ndritshme për një popull dhe një komb të një gjaku, të një historie, të një gjuhe dhe të një kulture, të një trashëgimie dhe të një tradite”.  

Dhe krejt në fund, me të drejtë mund të konstatohet se Ribashkimi kombëtar nuk paraqet tabu temë, por të drejtë historike dhe kombëtare të shqiptarëve. Ndërkaq, teza “Kombi kosovar”, është e pajustifikueshme dhe nga aspekti kombëtar e papranueshme dhe shumë destruktive dhe njëkohësisht shqetësuese. Andaj, të gjitha argumentet që u përmenden në këtë shkrim, e që janë të pakëta, në krahasim me argumentet e tjera historike, vërtetojnë se, përjashtimi i shqiptarëve nga e drejta e tyre për të formuar shtetin autokton në baza nacionale, paraqet veprim arbitrar dhe shkelje flagrante e të drejtave historike dhe kombëtare të shqiptarëve si komb. 

P.S: Sublimi i gjithë asaj që u tha në këtë shkrim, na shpien në konkludim të drejtë, se: nuk ka Ju dhe Ne, por ka vetëm Ne. Me fjalë tjera, për popullin shqiptar kudo që gjendet e jeton, ekziston vetëm një komb, e ky është KOMBI SHQIPËTAR.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat