Një befasi e këndshme për kreun e LDK-së, Vjosa Osmani mund t’i kthehet LDK-së me marrëveshje të sinqertë

Opinione

Një befasi e këndshme për kreun e LDK-së, Vjosa Osmani mund t’i kthehet LDK-së me marrëveshje të sinqertë

Hafiz Shala - New Nork Nga Hafiz Shala - New Nork Më 12 mars 2021 Në ora: 23:56
Besian Mustafa dhe Vjosa Osmani

Dje, në artikullin tim më titull: “Jo veteranët në krye të LDK-së, e shpreha opinionin tim me disa arsye që, ndoshta dikush edhe mund të mos pajtohet, por, diçka nga ato megjithatë qëndrojnë.

LDK-ja, falë udhëheqjes neglizhente, të papërgjegjshme, labile e statike, injorante e ndikuar nga forcat destruktive anti-shtetërore e anti-demokratike, ishte në bashkëpunim të ngushtë dhe në koalicion me ata që popullin e mbanin nën “rrethojën e hekurt”, kapjen e shtetit dhe nën akuzua për krime ndaj njerëzimit.

Pse udhëheqja e saj, nuk mund t’i rezistonte presionit apo interesit, qoftë pushtet marrës, qoftë përfitimeve materiale përmes korrupsionit dhë nepotizmit?

Ishin pjesëmarrës në marrjen e vendimeve kundër interesave të shtetit duke i humbur 8200 hektarë të territorit, pranuan Zajednicën dhe nuk vepronin dhe reagonin praktikisht në tentativën e korrigjimit të kufijve apo, ndarjes, duke heshtur para presionit të brendshëm dhe “atij të jashtëm”, të cilit nuk patën guxim t’i kundërvihen.

Bile, pjesa e ngushtë e udhëheqjes së saj doli në përkrahje të kësaj ideje të rrezikshme, e cila, ia hapi rrugën Serbisë të jetë këmbëngulëse në marrëveshjen përfundimtare se ajo duhet të merr diçka.

E kjo diçka, ishin 17 komunat veriore, të cilat gjoja na i paska dhuruar Aleksandër Rankoviqi, i njohur për shqiptarët e Kosovës për torturat në rastin e aksionit të armëve të vitit 1956, kur shqiptari u desh shtatë herë ta blejë armën e vet.

Pse LDK-ja, nuk e pati guximin që publikisht e politikisht ta kundërshtojë këtë ide, ndërsa, institucionalisht ta kundërshtojë përmes Parlamentit nga përfaqësuesit e popullit. Apo, iu diktuan dhe urdhëruan ndryshe?

A është ky shkas se dikush nga LDK-ja ishte i involvuar në këtë politikë të dëmshme dhe të rrezikshme për shtetin?

Pse LDK-ja, heshti ndaj vrasjeve politike të kuadrove të njohura si bashkëpunëtorë të afërt dhe të besueshmit e Dr. Ibrahim Rugova, të cilët u likuiduan në mënyrën më mizore para anëtarëve të familjes së tyre?

Gishti, më të drejt iu atribua SHIK-ut, organizatë famëkeqe dhe e rrezikshme për vendin, për të cilën, kurrë nuk u debatua rreth funksionimit dhe zbardhjes së veprave kriminale, kryesisht ndaj bashkëkombasve të vet.

Ku ishte udhëheqja e kësaj partie, e cila vajtonte vetëm para fushatave zgjedhore dhe pastaj heshtej deri në zgjedhjet tjera të ardhshme?

Pra, edhe një herë, jo veteranët në krye të LDK-së, po, të rinjtë e LDK-së.

Prandaj, duhet të vijnë në shprehje, ata të cilët nuk ishin as të preferuarit, tani të udhëheqjes, duke mos iu bashkangjitur veprimeve dhe politikës, e cila nuk kishte të bënte me filozofinë rugoviane.

Zoti Besian Mustafa, nëse nuk ka qenë i ekspozuar për punë dhe për ndonjë veprimtari të shquar duke e mbajtur anonim, megjithatë si Ministër i Bujqësisë u tregua i sinqertë dhe i suksesshëm dhe nuk kam lexuar e as dëgjuar se ky i ri, bëri ndonjë veprim, as kundër partisë e as kundër interesave të shtetit.

Nuk pati poste në parti përpos zëdhënësit të LDK-së që, mendoj se më shumë ishte që udhëheqja e kësaj partie, përmes këtij posti “ta hiqte obligimin” ndaj të birit të Xhemajl Mustafës, i likuiduar në mënyrë mafioze, sikur edhe të Enver Malokut dhe kuadrove tjera të afërt me Rugovën, që nuk u zbuluan.

Besian Mustafa, një i ri me ambicie për ta rimëkëmbur LDK-në më njerëz të rinj me tituj të vërtetë akademik, të ndershëm dhe të painvolvuar në punë të pista, mund të jetë një shpresë që LDK-së t’ia kthejë primatin, respektin dhe rëndësinë e një subjekti politik, i cili e meriton të udhëheq me shtetin. Ky virtyt këtë parti e ka përcjellë sa ishte Rugova gjallë, por që fatkeqësisht e humbi dhe i duhet kohë për t’u rikthyer, sepse shumë keq e humbi besimin në udhëheqjen, të cilës elektorati ia tregoi rrugën, duke i larguar nga partia.

Zonja Vjosa Osmani, ndaj të cilës u thurën akuza në njërën anë, ndërsa në anën tjetër, thirrje për kthim, e cila e theu akullin e Antartikut duke iu kundërvënë veprimeve, hapave dhe bashkëpunimeve me njerëz të papërgjegjshëm në krye të shtetit, u “bë kurban” i LDK-së, për ta zbuluar të vërtetën rreth udhëheqjes së LDK-së, e cila, nuk ishte në frymën e LDK-së rugoviane.

Vjosa Osmani, do të zgjidhet Presidente e vendit dhe ajo do të qëndrojë dy mandate, anipse Kushtetuta e Kosovës, nuk e di a e ka të kufizuar sa mandate, gjasat mund të jenë që pas 10 vitesh të kthehet në LDK, e cila, nëse udhëhiqet nga njerëz të rinj, do të vijë në vendin e duhur, sepse i duhet shtetit të Kosovës.

Në rrethana të tilla, zonja Osmani, ka gjasa t’i kthehet LDK-së me një marrëveshje të sinqertë dhe të ndershme.

Me një të rinj si Besian Mustafa, pse mos të cekët edhe si i biri i Xhamajl Mustafës, i cili, sipas traditave kombëtare shqiptare, t’i përngjash babait, është adet, e të bëhesh më i mirë së babai, është marifet. Unë, e pres këtë të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat