Qyteti Pustec në Shqipëri të riemërtohet në shqip - Liqenas!

Opinione

Qyteti Pustec në Shqipëri të riemërtohet në shqip - Liqenas!

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 7 maj 2021 Në ora: 08:41
Xhavit Kryeziu

Në vitet 1933-34, Mbreti i Shqiptarëve, Ahmet Zogu, kishte vendosur t'i zëvendësonte me gjuhën shqipe të gjitha emërtimet që deri atëherë mbanin emërtime të ghuhëve të huaja. Pa marrë parasysh se çfarë është sot mendimi për Mbretërinë Shqiptare, ky vendim i mbretit Zog ka qenë njëri ndër veprimet më patriotike të marra gjatë kohës së sundimit të tij.

Megjithëkëtë, një synim dhe përpjekje e tillë nuk është jetësuar asnjëherë. Për rrjedhojë, edhe sot në Shqipëri kemi vendbanime të shumta, të cilat vazhdojnë të mbajnë emërtime të huaja, kryesisht sllave, e jo shqipe. Psh.: Leskovik, Çorovodë, Novosellë, Velipojë, Golem, Zvezdë, Pogradec, Selenicë, Jabllanicë e shumë të tjerë.

Jo vetëm sistemi i mëparshëm komunist, por as ky i sotmi pluralist, nuk ka bërë asnjë përpjekje për t'i zëvendësuar emërtimet e huaja me ato shqipe. Për më keq, janë rikthyer në emërtime në gjuhën sllave edhe ato pak vendbanime të cilat dikur ishin zëvendësuar me gjuhën shqipe.

Rasti i qytetit të Liqenasit, në rrethin e Korçës, i cili nga emërtimi shqip Liqenas ka marrë atë sllav Pustec, dëshmon turpin dhe veprimin më antikombëtar të shtetit shqiptar të bërë në vitin 2013.

Në qoftë se ka pasur presion nga banorët lokalë, të vetëquajtur sllavomaqedonas, që Liqenasin ta bëjnë Pustec, atëherë më e pakta që ka mundur ta bënte Shqipëria ka qenë lënia në përdorimin zyrtar edhe të emërtimit shqip Liqenas, edhe të emërtimit sllavomaqedonas Pustec, e jo ta lë në përdorim zyrtar vetëm variantin sllav!

Në shumë vende të botës kemi vendbanime të shumta që zyrtarisht mbajnë emërtime dygjuhëshe, por edhe shumëgjuhëshe. Të tilla raste ka edhe në Maqedoninë fqinje, ku psh. kryeqyteti i vendit Shkupi njihet edhe si Skopje (sllavomaqedonisht), Skoplje (serbisht), Uskup (turqisht) etj.

Edhe në Kosovë, madje edhe gjatë sistemit okupues serb, janë lejuar emërtimet shqipe krahas atyre serbe. Psh. Prishtina/Pristina, Ferizaj/Urosevac, Gjilan/Gnjilane, Gjakovë/Gjakovica, Pejë/Pec etj. Njësoj është edhe sot në RMV ku kemi emërtime dygjuhëshe, si Kërçovë/Kicevo, Dibër/Debar, Ohër/Ohrid etj.

Pse vetëm në Shqipërinë me mbi 95% shqiptarë vetë shqiptarët nuk kërkojnë edhe emërtimin shqip Liqenas krahas atij sllavomaqedonas Pustec, të cilin e përdorin më pak se 1% e popullsisë?!

Ky fakt absurd është vetëm njëri nga absurdet e shumta dhe të pashembullta që ndodhin vetëm në Shqipëri dhe askund tjetër në botë.

Ndaj, i bëj thirrje të gjithë atyre që janë kompetentë për këto çështje që t'i vënë gishtin kokës, dhe pa asnjë kusht t'ia kthejnë qytetit shqiptar emrin shqip Liqenas!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat